Sali Berisha ishte sot në Korçë, në të njëjtën orë kur Ervin Salianji zhvillonte një takim paralel në Shkodër, duke e kthyer distancën gjeografike në një përplasje të hapur politike brenda Partisë Demokratike. Në fjalën e tij, Berisha nuk e kurseu ish-deputetin demokrat, duke e vendosur atë në qendër të kritikave për atë që e cilësoi mungesë analize pas zgjedhjeve dhe vendosje të interesit personal mbi idealet e partisë.
“Ta themi hapur: kjo parti nuk na ka borxh ne, ne i kemi borxh kësaj partie. Ndodh që disa vendosin interesin e tyre mbi idealet për të cilat ne luftojmë,” u shpreh Berisha, duke theksuar se ajo që u tha gjatë fushatës zgjedhore ka ndodhur realisht dhe nuk mund të mohohet.
Kreu i PD-së deklaroi se analizat për zgjedhjet do të bëhen, por paralajmëroi se ata që, sipas tij, kanë shkelmuar besimin e qytetarëve, do të veçohen. “Kanë tejkaluar vijat e kuqe. I kemi disa të tillë,” tha Berisha, duke shtuar se Partia Demokratike është një parti e hapur, që pranon kritikën dhe debatin, por jo veprimet që dëmtojnë organizatën politike.
Berisha theksoi se askush nuk ndalohet të ndjekë projektin e vet politik, por kjo, sipas tij, duhet bërë pa tërhequr pas partinë dhe pa e dëmtuar atë. “Nëse në betejë bën punën e tjetrit, shko atje. Nuk humbasim gjë. Por nëse jemi bashkë, mblidhemi, diskutojmë, shprehim mendime dhe pastaj del e thua se ‘këtu nuk bëhet’, ndërsa atje thua se ‘këtu nuk bëhet’, pa thënë asgjë konkrete, kjo nuk është e ndershme,” u shpreh ai.
Në vijim, Berisha nënvizoi se opozita nuk ka kontrata dhe interesa të tjera përveç interesit të lirisë dhe dinjitetit, duke shtuar se askush nuk mund ta tërheqë PD-në për interesa personale. “Secili mund të bëjë biznesin e vet brenda ligjit, mund të ketë kontratat e tij, por që të na tërheqë ne pas, kjo nuk arrihet kurrë,” tha ai, duke paralajmëruar se gjithçka do të sqarohet në kohën e duhur.
Duke iu referuar kritikëve brenda partisë, Berisha tha se Partia Demokratike nuk u ka borxh atyre. “Unë i lexoj. Çfarë ke ti? Ishe në listë, kaq të dhanë qytetarët. Nuk ke të drejtë të ngrihesh kundër partisë. Ke të drejtë të shtrosh probleme, por jo ta godasësh atë,” deklaroi ai.
Në mbyllje, Berisha theksoi se këta zëra janë pakicë dhe se Partia Demokratike do të ecë përpara e bashkuar, me besim në fitore. “E fituam në foltoren e parë të PD-së. Do të fitojmë tani për Shqipërinë, për veten dhe për të gjithë shqiptarët,” përfundoi ai.
