Sali Berisha është gati të paraqitet në SPAK për hetimin e dosjes së 21 Janarit, vetëm pasi para prokurorëve të posaçëm u paraqit ish-vartësi i tij, Lulzim Basha. Ish-kryeministri tha se nuk ka pasur asnjë urdhër për të qëlluar ndaj protestuesve dhe se Garda zbatoi ligjin e kohës së PS.
Pasi u paraqit në SPAK në zbatim të masës së gjykatës për Dosjen “Partizani” për të cilën po gjykohet, Sali Berisha i ktheu përgjigje pyetjes se A do ta kalonte derën e prokurorisë së Posaçme nëse thirret për dosjen e 21 Janarit?
Hetimi u rikthye në vëmendje pas marrjes në pyetje të Lulzim Bashës, në cilësinë e ish-ministrit të brendshëm në vitin 2011 kur katër protestues u vranë në bulevard para Kryeministrisë gjatë një proteste të organizuar nga PS, atëkohë në Opozitë.
Në cilësinë e ish kryeministrit të kohës, Berisha tha se nuk ka pasur asnjë urdhër për të qëlluar ndaj protestuesve, duke shtuar se Garda e Republikës zbatoi një ligj të miratuar në qeverisjen e PS.Berisha triblloi pyetjen për dëshminë në SPAK, ish vartësit Lulzim Basha, sot rival politik, ndërsa iu rikthye akuzave ndaj prokurores së përgjithshme të Kohës, Ina Rama dhe kryeministrit për pengim të hetimit.
Nga dera e Prokurorisë së Posaçme, Berisha referoi një dokument që sipas tij vërteton se gjyqtarja Irena Gjoka që e vuri nën masë për çështjen Partizani është në shkelje të ligjeve dhe sipas tij nuk duhet të mbajë togën e zezë të drejtësisë.
