
Ish-kryeministri nuk u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, duke këmbëngulur se nuk ka marrë ftesë, ndërsa hetimet për krimin shtetëror vijojnë
Sali Berisha nuk ka shkuar këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme, megjithëse ishte thirrur për të dhënë shpjegime lidhur me ngjarjet e 21 Janarit 2011. Ish-kryeministri ishte ftuar nga prokurori i çështjes, Alfred Shehu, për të dëshmuar si person me dijeni të rëndësishme në dosjen për vrasjen e katër protestuesve.
Një ditë më parë, Berisha deklaroi publikisht se nuk kishte marrë asnjë njoftim zyrtar, duke hedhur dyshime mbi procedurën e thirrjes. Sipas raportimit të gazetarit të Euronews Albania, Eni Ferhati, edhe sot Berisha nuk është paraqitur në ambientet e SPAK-ut, duke lënë të hapur çështjen e mënyrës se si ai do t’i përgjigjet ftesave të ardhshme.
Dosja e 21 Janarit i është kaluar SPAK pas vendimit të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Strasburgut, të cilat e cilësuan ngjarjen si “krim shtetëror” dhe kërkuan hetim të plotë të zinxhirit të përgjegjësisë.
SPAK pritet të vijojë procedurat për të siguruar dëshmitë e nevojshme në këtë çështje të shumëpërfolur, ku Berisha dhe ish-zyrtarë të tjerë të lartë të kohës konsiderohen persona me dijeni të rëndësishme.
