 
        Kreu i opozitës e vlerëson raportin e OSBE si një dëshmi të manipulimeve zgjedhore, duke theksuar se shqiptarët nuk mund të votojnë të lirë nën qeverisjen aktuale
Gjatë seancës parlamentare të ditës së sotme, Sali Berisha reagoi ashpër lidhur me procesin zgjedhor dhe vendimin për ngritjen e komisioneve të reja parlamentare, duke theksuar se “me Ramën nuk ka zgjedhje të lira”.
Berisha e konsideroi raportin e fundit të OSBE si një dokument që “damkosi farsën e 11 majit”, duke e cilësuar atë si një dëshmi të qartë të deformimeve dhe manipulimeve zgjedhore në vend.
Sipas tij, opozita votoi pro ngritjes së komisioneve vetëm për të përmbushur rekomandimet e OSBE, të cilat, siç tha, janë thelbësore për rikthimin e integritetit të procesit zgjedhor. “OSBE ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe ne ndihemi të detyruar që rekomandimet e tyre t’i kthejmë në ligj. Por me Ramën, shqiptarët nuk do të votojnë kurrë si qytetarë të lirë”, deklaroi ai.
Duke iu referuar Reformës Territoriale, Berisha e quajti atë një antireformë që ka vendosur standardet më të larta të pabarazisë në përfaqësim. Ai shtoi se vetëm një vendim i qytetarëve dhe një përpjekje e bashkuar e opozitës mund t’u rikthejë shqiptarëve votën e lirë dhe garën e ndershme politike.

 
         
         
         
         
        