
Kreu i PD lëshon paralajmërime dhe akuza nga salla plenare mes përplasjeve mes mazhorancës dhe opozitës
Seanca parlamentare e kësaj të enjteje është shoqëruar me tensione të forta dhe debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, duke sjellë kaos në sallën plenare. Deputetët e Partisë Demokratike kanë zënë vendet e ministrave dhe kanë refuzuar t’i lirojnë ato, duke bllokuar përkohësisht zhvillimin normal të seancës.
Në këtë klimë të përshkallëzuar, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka drejtuar akuza të forta ndaj Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu. Gjatë fjalës së tij, Berisha e ka cilësuar ministrin si “Zogu i Ballukut”, duke lëshuar edhe një paralajmërim të drejtpërdrejtë në adresë të tij.
“Zogu i Belindës, ike dhe ti gati e ke. Ke dy, jo një”, u shpreh Berisha nga salla, në një deklaratë që u shoqërua me reagime dhe zhurmë mes deputetëve.
Situata në Kuvend mbetet e tensionuar, ndërsa përplasjet verbale mes palëve politike pritet të vijojnë edhe gjatë pjesës tjetër të ditës, në një seancë të dominuar nga protesta, akuza dhe klimë e ashpër politike.
