Kryetari i PD-së, Sali Berisha, nga Foltorja e pestë para kryeministrisë mbrëmjen e sotme, bëri thirrje për protestë të fuqishme kombëtare më 22 dhjetor për të rrëzuar qeverinë, duke i dhënë mesazhe të qarta edhe kreut të mazhorancës nga poshtë dritares së zyrës së tij.
Ai denoncoi abuzimet masive dhe skandalet e kreut të ekzekutivit bashkë me zëvendësen e tij Belinda Balluku, duke nënvizuar se vjedhin miliona me të gjitha institucionet dhe shtetin që kanë kapur. Ai apeloi për mobilizim gjatë kësaj jave për të sensibilizuar shqiptarët që të krijojnë front të gjerë për protestën dhe vendosi piketat e qëllimet e saj. Tre javë angazhim dhe zënie e sheshit deri në largimin e Ramës, si dhe para dhënies së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ballukut.
“Pra data 22 është data e protestës së përgjithshme kombëtare, data në të cilën rrugët e Tiranës do ushtojnë “Largohu hajdut se koha jote ka marrë fund!”. Ju garantoj se PD do bëjë gjithçka për frontin më të gjerë të mundshëm në këtë betejë. Ju garantoj se PD do përdorë të gjitha format e qëndresës, të gjitha format e rezistencës deri në largimin e tij. Cila është më e mira për ne? Zënia për tre javë e këtij sheshi, kjo është, këtu duhet të betohemi ne, të vijnë këtu për të shpëtuar të ardhmen e tyre, familjen e tyre, vendin e tyre”, tha Berisha mes të tjerash para mbështetësve të tij.
Ai akuzoi pushtetin edhe për policinë politike me administratën dhe krimin e organizuar, duke përdorur miliardat për manipulimin e votës së 11 majit, por tani shtoi se do jetë “vota e qytetarëve”. Ai theksoi se shqiptarët nuk janë frikacakë dhe se fundi po i vinte qeverisë.
“Miliardat, policia politike e votës, krimi, me të gjitha ato shkatërroi zgjedhjet. Tani ne jemi vota, ne jemi guximi, shpresa dhe fitorja. I them frikacakut këtu se s’ke parë gjë akoma. Nëse i ke marrë shqiptarët për frikacakë, ke gabuar rëndë. Nga e hëna sot deri të hënën tjetër, të bëjmë gjithçka, të mbledhim guximtarë, koha është e guximtarëve, fitorja jonë është e pashmangshme, rrofshi ju, rroftë Shqipëria”, tha Berisha.
