Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka qenë i pari që mori fjalën në protestën e opozitës që po mbahet sot para Kryeministrisë.
Ai, që në nisje të fjalimit, sulmoi rivalin e tij, kryeministrin Edi Rama, të cilin e quajti “sulltan”, ndërsa për Belinda Ballukun përdori shprehjen “Lubi”. Berisha tha se këta dy zyrtarë kanë mbjellë skamje në këtë vend.
Berisha tha se gjatë kësaj jave u faktuan skandalet më të mëdha, vjedhja e 190 mln eurove në tunelin e Llogarasë dhe ajo në aeroportin e Vlorës.
Sipas liderit të opozitës, kjo javë faktoi se kjo ngrehinë e kalbur po shkërmoqet dhe nuk pret asgjë tjetër vetëm vrullin tonë, zemërimin tonë për ta fshirë nga historia.
Sali Berisha : Kjo është platforma parlamentaro-qytetare që ne inaugurojmë sot para pallatit të krimit, para pallatit të krimit shtetëror ndaj shtetit shqiptar, zëvendësimit të tij me narkoshtetin. Para pallatit të krimit njerëzor ndaj shqiptarëve që me qëndrimet e tij përzuri nga Shqipëria në vitet e qeverisjes së tij më shumë se çdo pushtues i egër në tërë historinë kombëtare.
Para pallatit që me një krim monstruoz ndaj shqiptarëve i zvogëloi ata që i riktheu 100 vite mbrapa. Para pallatit që ka brenda diktatorin, sulltanin dhe sulltaneshën, Edvinin dhe Belindën, Lubinë, të cilët me vjedhjen plaçkitjen, kanë mbjellë skamje në këtë vend si në asnjë vend tjetër të kontinentit. Përpjekjet e opozitës për zgjedhje me vokacion të pushtetit u përballën me tonelatat e eurove të drogës, u përballën me ushtrinë terroristëve të patronazhistëve, u përballën me të gjithë burimet financiare, logjistike, të gjithanshme të narkoshtetit vetëm e vetëm se rotacioni, largimi nga pushteti i tyre kanë frikë tmerr nga krimet që kanë kryer.
