
Kreu i PD akuzon Presidentin e Republikës për përfitime të paligjshme në sektorin privat dhe i bën thirrje Urdhrit të Mjekut të reagojë menjëherë.
Në një konferencë për mediat, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës. Sipas Berishës, dokumentet e publikuara nga PD tregojnë se Begaj ka marrë pagesa si konsulent në një klinikë private, ndërkohë që ushtron detyrën e kreut të shtetit.
Berisha e cilësoi këtë veprim si të paprecedent dhe në kundërshtim të plotë me nenet 89 dhe 94 të Kushtetutës, që ndalojnë Presidentin të mbajë funksione të tjera publike apo private. “Ose nuk e ka lexuar Kushtetutën, ose e konsideron si letër pa vlerë. Presidenti nuk mund të ketë detyra të tjera dhe aq më pak të marrë pagesa në sektorin privat,” u shpreh ai.
Lideri i opozitës i bëri thirrje publike Urdhrit të Mjekut që të reagojë ndaj kësaj situate, duke kërkuar heqjen e menjëhershme të diplomës së Begajt. “Një njeri që përfiton nga pozicioni i tij për interesa personale nuk mund të mbajë titullin e mjekut. Urdhri i Mjekut duhet të tregojë integritet dhe ta përjashtojë menjëherë,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi se Partia Demokratike do të ndjekë procedurat për ndjekje penale dhe shkarkim nga detyra të Presidentit. “Të gjitha këto shkelje do të përfshihen në dokumentet e ‘impeachment’. Nëse i ka mbetur qoftë edhe një grimcë dinjiteti, duhet të japë dorëheqjen,” përfundoi Berisha.