
Kreu i PD akuzon mazhorancën për mbrojtje të zyrtarëve dhe thirrje të drejtpërdrejta nga salla plenare
Tensionet kanë vijuar gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Shqipërisë, ku kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është futur drejtpërdrejt live në Facebook nga salla plenare, duke komentuar zhvillimet dhe duke lëshuar akuza të forta ndaj mazhorancës.
Gjatë transmetimit, Berisha deklaroi se po qarkullojnë informacione sipas të cilave zv/kryeministrja Belinda Balluku është larguar nga vendi, ndërsa akuzoi shumicën parlamentare se po e mbron atë nga përgjegjësia politike dhe ligjore.
Duke iu referuar dosjes së fundit të AKSHI-t, të cilën SPAK e ka cilësuar si grup të strukturuar kriminal, Berisha kërkoi publikisht që të sillet dhe të arrestohet Ergys Agasi. Nga salla e Kuvendit, ai iu drejtua deputetëve të mazhorancës me thirrje të drejtpërdrejta, duke e cilësuar Agasin si përgjegjës për shkelje të rënda ligjore.
Sipas Berishës, zhvillimet në Kuvend përfaqësojnë një betejë për ligjin dhe Kushtetutën, ndërsa opozita, sipas tij, po qëndron në sallë për të mbrojtur interesin publik. Ai vijoi akuzat duke pretenduar se mazhoranca po fsheh persona të përfshirë në çështje penale dhe po shmang përballjen me drejtësinë.
Seanca parlamentare është zhvilluar në një klimë të rënduar politike, me ndërprerje, tensione dhe përplasje verbale, ndërsa situata në Kuvend mbetet e paqëndrueshme edhe pas ndërhyrjeve të drejtuesve të seancës.
