
Autoritetet dyshojnë për një sulm nga militantë të majtë, ndërsa riparimet në rrjetin e tensionit të lartë vijojnë në kushte dimri të ashpër
Katër ditë pas një sulmi serioz në infrastrukturën energjetike, dhjetëra mijëra banorë të Berlinit vazhdojnë të përballen me mungesën e energjisë elektrike dhe ngrohjes, në një qytet të mbuluar nga bora dhe temperaturat nën zero. Sipas autoriteteve, rreth 25 500 familje mbeten ende pa furnizim, ndërsa puna për rikthimin e plotë të rrjetit vijon pa ndërprerje.
Kriza nisi të shtunën, kur kabllo të tensionit të lartë që furnizojnë një central elektrik në jugperëndim të kryeqytetit gjerman u përfshinë nga flakët. Si pasojë, rreth 45 000 familje dhe mbi 2 200 biznese në zonat Nikolassee, Zehlendorf, Wannsee dhe Lichterfelde mbetën papritur pa energji elektrike.
Autoritetet e Berlinit kanë bërë të ditur se ekzistojnë dyshime të forta se pas sulmit qëndron një grup militantësh të majtë, ndërsa hetimet janë ende në zhvillim. Ndërkohë, operatori i rrjetit, Stromnetz Berlin, konfirmon se deri tani energjia është rikthyer për rreth 19 500 familje dhe rreth 1 000 biznese.
Megjithatë, riparimet konsiderohen shumë komplekse dhe operatori paralajmëron se mund të nevojitet kohë deri të enjten për të rilidhur plotësisht të gjithë përdoruesit me rrjetin elektrik. Policia, zjarrfikësit dhe ushtria janë angazhuar në zonat e prekura për të ndihmuar banorët që nuk kanë pasur mundësi të strehohen te familjarë apo miq në pjesë të tjera të qytetit.
Spitalet kanë arritur të funksionojnë falë gjeneratorëve të emergjencës dhe tashmë u është rikthyer furnizimi normal me energji elektrike. Sipas Stromnetz Berlin, 72 nga 74 shtëpitë e kujdesit që u prekën nga ndërprerja janë tashmë sërish të furnizuara, duke shmangur pasoja më të rënda për personat më vulnerabël.
Autoritetet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve për durim, ndërsa theksojnë se siguria e rrjetit energjetik dhe zbardhja e plotë e ngjarjes mbeten prioritet absolut.
