
Pas deputetit Bujar Leskaj, edhe deputeti demokrat Besart Xhaferaj ka “thyer” urdhrin e kryetarit të PD-së dhe ka marrë pjesë në mitingun në mbështetje të liderëve të UÇK-së. I pranishëm mes protestuesve, Xhaferaj deklaroi se pjesëmarrja e tij nuk ka asnjë prapavijë politike dhe nuk përbën shkelje të urdhrit të partisë.“Aspak! Unë kam ardhur si qytetar, si Besart Xhaferaj, si qytetar i kombit shqiptar. Nuk mendoj se ky është një manifestim politik; është një protestë ndaj akuzave që i bëhen luftës së drejtë të kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës,” – tha ai për mediat.Deputeti demokrat shtoi se kjo është një kauzë që i përket të gjithë shqiptarëve, përtej çdo përkatësie partiake:“Çdokush që përpiqet t’i japë kësaj ngjarjeje ngjyra politike apo kredenciale elektorale, besoj se bën një gabim të madh. Kjo duhet të jetë një kauzë e përbashkët: lufta e Kosovës është ajo që hapi dhe shënoi shekullin e shqiptarit – shekullin XXI.”