

Veliaj: Ligji nuk mund të shpikë shkaqe të reja shkarkimi. Kushtetuta është filtri i vetëm dhe suprem për mandatin vendor.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një ankim voluminoz, ku kundërshton vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij. Në qendër të argumenteve juridike, Veliaj thekson se neni 62 i ligjit për vetëqeverisjen vendore nuk mund të përdoret si bazë e pavarur për shkarkim, por duhet të interpretohet vetëm në pajtim me nenin 115 të Kushtetutës, i cili përcakton rastet e kufizuara të ndërprerjes së mandatit të një kryetari bashkie.
Sipas ankimimit, Kushtetuta parashikon shkarkimin vetëm për shkelje të rënda të provuara, ndërsa çdo interpretim i zgjeruar i nenit 62, do të ishte antikushtetues dhe në kundërshtim me parimin e autonomisë vendore. Veliaj argumenton se mungesa e tij, si pasojë e masës së paraburgimit, nuk përbën shkelje të rëndë, pasi nuk është rezultat i vullnetit të lirë, por një pamundësi objektive e shkaktuar nga vendim gjykate. Për më tepër, vijimësia e funksionit ishte e garantuar përmes nënkryetarit të bashkisë, siç e parashikon ligji.
Në shkresën e depozituar, theksohet se përdorimi i nenit 62 si bazë e vetme ka përmbysur hierarkinë e normave juridike, duke i dhënë përparësi një ligji të zakonshëm mbi Kushtetutën. Një qasje e tillë, sipas argumentimit, cenon garancinë e mandatit të zgjedhur vendor dhe hap rrugën për ndërhyrje arbitrare të pushtetit qendror në institucionet vendore.
Veliaj kërkon nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, duke e cilësuar aktin si të pambështetur në Kushtetutë dhe si precedent të rrezikshëm për demokracinë vendore.