
42 gjyqtarë të rinj kanë bërë betimin ditën e sotme në Këshillin e Lartë Gjyqësor, për të marrë detyrën e magjistratëve. Në ceremoninë e betimit kreu i KLGJ, Ilir Rusi ka deklaruar se të jesh magjistratë do të thotë të kesh përgjegjësi të madhe dhe një mision që kërkon shumë punë. Në fund, Rusi theksoi se duhet të keni një barazi të drejtësisë së ligjit dhe drejtësisë hyjnore.
“Tani filloni një rrugëtim të ri, të jesh magjistrat do të thotë të kesh një përgjegjësi të madhe. Është momenti që ju keni një mision. Ju dhe ne në radhë të parë duhet të jemi njerëz. Duhet të keni një barazi të drejtësisë së ligjit dhe drejtësisë hyjnore. Do të jeni vëmendja e të gjithëve, jo ju personalisht, por profesioni juaj. Vendimi që do të merrni ka shumë rëndësi. Krijoni personalitetin tuaj në raport me integritetin. Nëse keni integritet misoni është përmbushur. Mos jini krenar ende për veten tuaj, koha do të tregojë sa krenarë do të jeni”, tha Rusi.
I pranishëm në ceremoni ishte dhe drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi deklaroi se betimi i tyre si magjistratë do t’i shoqërojë gjatë gjithë jetës.
“Besoj se duke njohur kandidatët për të gjitha sakrificat që kanë bërë jam i bindur se betimin nuk do ta konsideroni vetëm si një fjalë, por si një premtim që do t’ju shoqërojë gjatë gjithë jetës. Kur të mblidhemi në të ardhmen do të rikujtoijmë se çfarë kemi besuar te njëri-tjetri. Pres suksese për të gjithë ju”, tha Rakipi.