
Formati më i ndjekur i realitetit televiziv në vend përgatitet për një edicion me surpriza dhe sfida të reja për publikun.
Big Brother VIP po rikthehet këtë fundvit me sezonin e pestë, duke shënuar nisjen e një tjetër gare mes personazheve të njohur nga fusha të ndryshme të jetës publike shqiptare. Programi, i cili zotëron prej vitesh majat e shikueshmërisë, pritet të startojë në muajin dhjetor.
Produksioni ka paralajmëruar se edicioni i ri do të sjellë risi në konceptin e lojës dhe në përzgjedhjen e konkurrentëve, duke synuar që publiku të përjetojë një eksperiencë më intensive sesa sezonet e mëparshme. Përballjet, sfidat dhe dinamika mes banorëve do të jenë thelbi i këtij formati që prej më shumë se dy dekadash mbetet ndër më të diskutuarit në botën e televizionit.
Big Brother, i ideuar nga John de Mol Jr. dhe realizuar për herë të parë në Holandë në vitin 1999, është përhapur globalisht që nga viti 2000, duke u adaptuar në dhjetëra vende. Thelbi i programit mbetet i njëjtë: një grup konkurrentësh që jetojnë së bashku nën vëzhgimin e pandërprerë të kamerave dhe mikrofonëve, të cilët votojnë dhe eliminohen javë pas jave deri në shpalljen e fituesit.
Versioni VIP mbledh në të njëjtën shtëpi figura të njohura të artit, medias, muzikës, sportit dhe showbizit, duke sjellë në skenë dinamika të paparashikueshme dhe momente që nxisin debat në publik. Me afrimin e dhjetorit, pritshmëritë për edicionin e ri janë rritur ndjeshëm, ndërsa publiku mbetet në pritje të konfirmimit të konkurrentëve dhe surprizave që stafi i programit ka rezervuar.
