
Në një kohë kur bombat vijojnë të bien mbi Gaza, delegacionet e dy palëve ulen për bisedime në Kajro nën ndërmjetësimin e Egjiptit dhe presionin e SHBA.
Delegacione nga Izraeli dhe Hamas pritet të zhvillojnë sot takime në Egjipt, në përpjekje për të gjetur një rrugë drejt paqes, pas gati dy vitesh lufte të përgjakshme në Rripin e Gazës. Ndërmjetës të Egjiptit, Katarit dhe Shteteve të Bashkuara janë mbledhur në Kajro, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump u ka kërkuar palëve të lëvizin shpejt për të ndalur luftën që ka marrë përmasa tragjike.
Hamas konfirmoi pjesëmarrjen e tij përmes delegacionit të kryesuar nga Khalil al-Hayya, i cili mbijetoi një tentativë atentati nga Izraeli në Katar muajin e kaluar.
Ndërkohë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 24 palestinezë u vranë të dielën, ndërsa një person tjetër humbi jetën për shkak të urisë së detyruar, duke shtuar në listën e pafund të viktimave.
Izraeli, nga ana e tij, ka mohuar çdo mundësi armëpushimi, duke njoftuar për një ndryshim të situatës operacionale dhe për vazhdimin e operacioneve ushtarake në terren.
Që nga tetori 2023, të paktën 67,139 palestinezë janë vrarë dhe 169,583 të tjerë janë plagosur, ndërsa mijëra të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur nën rrënoja. Në anën tjetër, Izraeli ka raportuar 1,139 viktima dhe rreth 200 pengje gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023.