
Pas dy vitesh lufte në Gaza, raundi i parë i negociatave indirekte në Sharm el-Sheikh mbyllet me optimizëm, me ndërmjetësimin e Egjiptit dhe mbështetjen e planit 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas mediave egjiptiane, pala egjiptiane paraqiti një rrugë veprimi të qartë për vijimin e bisedimeve, me tri çështje kyçe në qendër:
- Shkëmbimi i pengjeve izraelitë me të burgosur palestinezë;
- Armëpushimi afatgjatë;
- Hyrja e ndihmave humanitare në Gaza.
Delegacioni i Hamasit, i kryesuar nga Khalil al-Hayya dhe Zaher Jabarin, të cilët i mbijetuan një atentati izraelit në Doha muajin e kaluar, theksoi se bombardimet izraelite në Gaza po e vështirësojnë procesin dhe e bëjnë çdo marrëveshje të brishtë.
Në Uashington, Presidenti Donald Trump deklaroi se ka një shans real për një marrëveshje, duke shtuar se Hamasi ka treguar hapje ndaj disa pikave thelbësore” të planit amerikan.
Sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ekipet teknike po punojnë për përgatitjen e listave të pengjeve izraelitë dhe të burgosurve palestinezë që do të përfshihen në shkëmbimin e parë.
Në delegacionin amerikan marrin pjesë edhe emisarët e posaçëm Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i Trump, që njihet për përfshirjen e tij në marrëveshjet izraelito-arabe, gjatë mandatit të mëparshëm presidencial.
Bisedimet zhvillohen në prag të dyvjetorit të sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ku u vranë 1,139 persona dhe rreth 200 të tjerë u morën peng.
Që prej asaj dite, forcat izraelite kanë vrarë mbi 67mijë palestinezë dhe kanë plagosur mbi 169 mijë të tjerë, sipas të dhënave të OKB dhe organizatave për të drejtat e njeriut, që e kanë cilësuar ofensivën si gjenocid.
Edhe gjatë ditës së hënë, ndërkohë që delegacionet ishin në Egjipt, të paktën 10 palestinezë u vranë në sulmet izraelite në Gaza, tre prej tyre ndërsa prisnin ndihma humanitare.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, përkujtoi përvjetorin e sulmit të Hamasit, duke e quajtur atë “të neveritshëm”, por njëkohësisht nxit të dyja palët të shfrytëzojnë këtë moment mundësie për paqe.
“Një armëpushim i përhershëm dhe një proces politik i besueshëm janë thelbësorë për t’i dhënë fund gjakderdhjes,” – shkroi Guterres në një deklaratë zyrtare.
Megjithëse ende pa rezultat konkret, dita e parë e negociatave shihet si hap i vogël drejt një shprese të madhe. Ndërsa delegacionet përgatiten për raundin e dytë, shpresa e ndërmjetësve është që Sharm el-Sheikh të kthehet në pikën e kthesës për t’i dhënë fund një lufte që ka kushtuar jetën e dhjetëra mijëra civilëve.