
Dështimi i takimeve në Bruksel dhe vizita pa rezultat në Kremlin thellojnë pasigurinë mbi procesin e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë
Përpjekjet për të çuar përpara një marrëveshje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë janë futur sërish në ngërç, pasi takimi i planifikuar në Bruksel midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe delegacionit amerikan është anuluar në minutën e fundit. Sipas mediave ukrainase, Zelensky është kthyer me urgjencë në Kiev, ndërsa emisari i Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit amerikan Jared Kushner, nuk arritën të sigurojnë asnjë marrëveshje gjatë takimit të tyre të zgjatur me Vladimir Putinin në Kremlin.
Presidenti Tramp, i pakënaqur me ritmin e negociatave, ka reaguar ashpër gjatë një mbledhjeje kabineti, duke deklaruar se situata është e ndërlikuar dhe duke e përshkruar procesin si një rrëmujë të vërtetë. Anulimi i takimit në Bruksel shihet si një sinjal i ri se distancat mes palëve po thellohen, pavarësisht deklaratave publike për përkushtim ndaj paqes.
Zelensky njoftoi në X se ekipi i tij, i kryesuar nga Rustem Umerov dhe Andrii Hnatov, do të nisë përgatitjet për një takim të ardhshëm në Shtetet e Bashkuara me përfaqësuesit e presidentit Tramp. Ai theksoi se Ukraina mbetet e gatshme të punojë në mënyrë konstruktive dhe se procesi negociator mbetet aktiv, pavarësisht pengesave të fundit. Presidenti ukrainas shtoi se përfaqësuesit e tij do të informojnë partnerët evropianë për detajet e diskutimeve që amerikanët zhvilluan në Moskë.
Në Moskë, Kremlini ka akuzuar vendet evropiane se po pengojnë procesin e paqes për shkak të asaj që e konsideron obsesion ndaj idesë së një disfate strategjike të Rusisë. Zëdhënësi Dmitry Peskov deklaroi se Rusia nuk ka refuzuar një plan paqeje nga Shtetet e Bashkuara dhe se një telefonatë midis Putin dhe Tramp mund të organizohet shpejt nëse palët bien dakord.
Për momentin, nuk ka afat të qartë për takimin e radhës, ndërsa tensioni politik dhe diplomatik rritet në të tre anët e tryezës negociuese.
