
Ministrat e qeverisë Rama vijojnë udhëtimet luksoze ndërsa kostot mbulohen nga taksapaguesit
Ministri i Kulturës Blendi Gonxhe është përfshirë sërish në qendër të skandaleve, pasi një faturë akomodimi në Dubai, e cila i ka kushtuar buxhetit të shtetit rreth 2700 euro, ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si përdoren fondet publike. Rasti sjell ndër mend darkën e shumëdebatuar të viteve të shkuara në restorantin e kuzhinierit Nusret, ku ishin të pranishëm zyrtarë të qeverisë Rama, përfshirë Arbjan Maznikun dhe Arben Ahmetajn, një episod që tronditi opinionin publik për shkak të luksit të tepruar.
Fatura e re, e publikuar së fundmi, tregon se Gonxhe ka udhëhequr një delegacion prej pesë personash gjatë vizitës në Emiratet e Bashkuara Arabe, më 28 dhe 29 tetor 2025. Dokumenti i pagesës shënon vetëm akomodimin në hotelin në Dubai, pa saktësuar nëse bëhej fjalë për një dhomë apo disa, dhe nëse vizita zgjati më shumë se dy ditë. Megjithatë, edhe me të dhënat e pjesshme, shuma e paguar është krahasuar me çmimet e hoteleve më luksoze të qytetit, të njohur për standarde të larta, por edhe për kostot e kripura që zakonisht nuk i përballon dot një shtet me të ardhura modeste si Shqipëria.

Pavarësisht kësaj, mbetet i paqartë qëllimi real i këtij udhëtimi dhe përfitimi konkret për kulturën shqiptare. Nuk dihet nëse Gonxhe ka qenë i ftuar zyrtarisht, nëse homologu i tij në Emirate ka ofruar mikpritje, apo nëse shpenzimet janë bërë tërësisht me fondet e institucioneve shqiptare. Pyetjet shtohen, pasi ekspertët e çmimeve në Dubai theksojnë se një faturë e tillë mund të jetë vetëm një pjesë e shpenzimeve totale, pa përfshirë biletat e avionit, dietat apo kostot e tjera të udhëtimit, që mund ta çojnë shifrën përtej 3000 eurove.
Lëvizjet e Gonxhes pas Dubait, përfshirë udhëtime në Riad e në disa destinacione europiane, i kanë shtuar debatet mbi mënyrën e menaxhimit të fondeve publike dhe prioritetet e ministrisë që ai drejton. Ndërkohë, opinioni publik kujton ende kritikat e shumta të bëra ndaj tij për projektet e diskutueshme kulturore, përfshirë edhe mozaikun e ri të Teatrit të Operës, i cili u shoqërua me polemika.
Në një kohë kur shumë shqiptarë përballen me rritjen e kostove të jetesës, shpenzime të tilla luksi nga zyrtarët e lartë shtetërorë vijojnë të nxisin pakënaqësi dhe të rikthejnë në vëmendje debatin e vjetër: kush e paguan faturën e luksit qeveritar?
