
Probleme të vazhdueshme në portalin qeveritar po bllokojnë faturimin, pagesat dhe veprimtarinë e bizneseve, ndërsa autoriteti përgjegjës mohon çdo defekt
Prej mëngjesit të sotëm, aktiviteti i bizneseve në mbarë vendin është paralizuar për shkak të mosfunksionimit të portalit qeveritar e-Albania, duke krijuar vështirësi serioze në kryerjen e veprimeve bazë administrative dhe fiskale.
Subjektet tregtare ankohen se nuk po arrijnë të kryejnë asnjë shërbim, përfshirë edhe nxjerrjen e faturave për pagesa. Problemi ka prekur drejtpërdrejt procesin e fiskalizimit, duke bllokuar shitjet dhe arkëtimet, ndërsa bankat e nivelit të dytë nuk po kryejnë pagesat për faturat e fiskalizuara.
Burime nga administrata tatimore bëjnë me dije se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, institucioni përgjegjës për mirëfunksionimin e e-Albania, është në proces pune për rregullimin e sistemit dhe se problematika pritet të zgjidhet së shpejti. Megjithatë, vetë AKSHI nuk ka dhënë asnjë reagim zyrtar publik, ndërsa në një deklarim për Monitor ka pohuar se sistemi rezulton në gjendje normale pas ritestimit.
Në kundërshtim me këtë deklaratë, bizneset raportojnë se janë totalisht të bllokuara. Sipas tyre, portali hapet vetëm pjesërisht dhe më pas ngec, duke mos lejuar aksesin në shërbimin self care, përmes të cilit kontrollohen faturat e blerjes nga furnitorët. Ekonomistë dhe përfaqësues të subjekteve tregtare shprehen se situata është bërë e padurueshme, pasi po zgjat prej javësh pa asnjë sqarim apo afat konkret për zgjidhje.
Problemi ka krijuar një zinxhir bllokimesh në aktivitetin ekonomik, pasi pa kupon fiskal nuk mund të kryhen shitje dhe arkëtimet nuk realizohen. Kjo ka sjellë humbje të drejtpërdrejta për bizneset dhe pasiguri për vijimësinë e punës së tyre.
Ndërsa në faqen zyrtare e-Albania përshkruhet si një zyrë elektronike me një ndalesë, e ndërtuar për të lehtësuar shërbimet publike për qytetarët dhe bizneset, realiteti aktual po tregon të kundërtën. Në vend që të thjeshtojë proceset, portali është kthyer në një burim stresi dhe bllokimi, pa transparencë dhe pa asnjë komunikim të qartë nga institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e situatës.
