
Në komisionin parlamentar nis përplasja mes Boçit dhe Maznikut për drejtimin e reformës së re
Komisioni për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilloi sot mbledhjen e radhës, ku bashkëkryetarët Luçiano Boçi dhe Arbjan Mazniku paraqitën dy qëndrime të kundërta për mënyrën si duhet të ndërtohet modeli i ri i ndarjes vendore.
Në fjalën e tij, Boçi u shpreh se reforma e vitit 2015 ka dështuar, duke sjellë centralizim të pushtetit dhe duke dobësuar funksionimin e bashkive. Ai theksoi se komisioni nuk duhet të përsërisë gabimet e së kaluarës, duke paralajmëruar se çdo proces i ndërtuar mbi të njëjtat metoda do të prodhojë sërish rezultate të dobëta.
Sipas tij, thelbi i reformës së re duhet të jetë rikonceptimi i hartës me më shumë bashki, më shumë shërbime dhe më shumë autonomi për pushtetin vendor. Boçi akuzoi se ndarja e mëparshme territoriale u ndërtua mbi bazë votash dhe jo mbi interesat e qytetarëve.
Ndërkohë, bashkëkryetari tjetër, Arbjan Mazniku, kërkoi që debati të shmangë politizimin dhe të bazohet në analiza teknike, kapacitetet e bashkive dhe përgatitjen e tyre për standardet e BE-së. Ai theksoi se diskutimi nuk duhet të fokusojë vetëm numrin e bashkive, por funksionet dhe aftësitë e tyre për të tërhequr projekte dhe fonde.
Mbledhja e sotme shënon nisjen e një procesi që pritet të sjellë përplasje të forta politike, teksa opozita kërkon rritje të bashkive dhe decentralizim, ndërsa mazhoranca këmbëngul te analiza teknike dhe fuqizimi funksional i qeverisjes vendore.
