Reshjet e dëborës dhe ngricat në rrugë kanë krijuar problematika serioze në qarkun e Dibrës dhe veçanërisht në “Rrugën e Arbrit”.
Aksi kombëtar është bllokuar prej orësh dhe gjithashtu është krijuar radhë e gjatë disa kilometra e mjeteve në pritje
Lëvizja bëhet me vështirësi dhe vetëm me zinxhirë, pasi mjetet rrëshqasin.
Radha kilometrike nga të dyja anët rrugës ka shkuar deri në 10 km.
Policia apelon që drejtuesit e mjeteve të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë dhe të ecin brenda normave të lejuara.
Por edhe në qarqet e tjera të vendit situata është kaotike në rrugë, për shkak të përmbytjeve, shiut, borës, ngricave dhe temperaturave të ulëta e lagështirës në akse që janë burime aksidentesh.
Policia ka dalë me njoftim zyrtar, ku jep edhe këshilla për drejtuesit.
Sipas Policisë, në zonat malore drejtuesit e mjeteve duhet të jenë të pajisur me goma dimërore dhe mjete anti-rrëshqitëse, për të shmangur aksidentet.
“Në zonat malore, drejtuesit e automjeteve të kenë me vete mjetet antirrëshqitëse dhe të përdorin goma dimërore.
Shërbimet e Policisë po koordinojnë me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve në të gjitha zonat ku ka prezencë të breshërit dhe dëborës, me qëllim pastrimin në kohë të rrugëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia këshillon qytetarët të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke moderuar shpejtësinë, duke shmangur parakalimet e gabuara, përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, si dhe drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të ndjekin udhëzimet e shërbimeve policore në terren dhe, për çdo nevojë apo emergjencë, të kontaktojnë numrin 112.
