
Ngjarja ndodhi pranë tunelit të Murrizit, mjeti i pastrimit goditi një Volkswagen që më pas u përplas me dy automjete të tjera
Një mjet borëpastrues ka shkaktuar një aksident të trefishtë në Rrugën e Arbrit, gjatë operacioneve për pastrimin e dëborës. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të tunelit të Murrizit, në segmentin nga ana e Klosit.
Sipas informacioneve paraprake, borëpastruesja ka përplasur fillimisht një automjet tip Volkswagen, i cili po lëvizte në drejtim të Tiranës. Si pasojë e goditjes, ky automjet është përplasur më pas me dy makina të tjera që ndodheshin në rrugë, duke përfshirë gjithsej tre mjete në aksident.
Nga përplasja janë lënduar disa persona, ndërsa drejtuesi i automjetit Volkswagen është dërguar në spital për ndihmë mjekësore të specializuar. Gjendja e tij raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, ndërsa qarkullimi në zonë është zhvilluar me vështirësi për shkak të dëborës dhe motit të keq. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjes në këtë aks rrugor.
