
Deputeti socialist akuzon uniformat e Ilir Prodës për ndërhyrje brutale ndaj minatorëve që protestonin për kushtet e punës, duke paralajmëruar institucioneve të punës se do të mbajnë përgjegjësi.
Pas ngjarjeve të dhunshme në minierën e Spaçit, ku policia u përplas me minatorët protestues, deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar me tone të ashpra, duke akuzuar forcat e rendit për shkelje flagrante të Kushtetutës dhe dhunë ndaj punëtorëve që po kërkonin të drejtat e tyre.
Sipas Braçes, minatorët kishin dalë në protestë për të denoncuar kushtet e rënda të punës dhe për të kërkuar përfaqësim sindikal ligjor, por në vend të dialogut, autoritetet kanë zgjedhur forcën. Deputeti u shpreh se përgjegjësia bie mbi strukturat e drejtuara nga Ilir Proda, të cilat, sipas tij, kanë vepruar jashtë çdo norme demokratike dhe ligjore.
Në reagimin e tij publik, Braçe kujtoi se Kushtetuta garanton të drejtën për organizim sindikal dhe grevë, duke theksuar se çdo përpjekje për të mohuar këto të drejta përbën shkelje të rëndë të rendit kushtetues. Ai shtoi se problemi në Spaç lidhet me faktin se kompania turke që administron minierën nuk pranon përfaqësimin e punëtorëve nga një sindikatë legjitime.
“Policia e Shtetit ka shkelur me duar, me këmbë dhe me një gojë të shthurur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në një vend ku ka mungesë ulëritëse të punëtorëve, kjo sjellje është e patolerueshme,” deklaroi Braçe.
Ai kërkoi ndërhyrje urgjente të Inspektoratit të Punës dhe i bëri thirrje institucioneve që të garantojnë sigurinë dhe të drejtat e minatorëve, duke paralajmëruar se çdo formë dhune ndaj punëtorëve do të denoncohet publikisht dhe politikisht.
Ngjarja e Spaçit ka ndezur një tjetër debat mbi marrëdhëniet mes punëtorëve dhe autoriteteve, duke vënë në qendër të vëmendjes mënyrën se si trajtohen sindikatat dhe e drejta për protestë në Shqipëri.