
Ngjarja e rëndë ndodhi në një bujtinë luksoze në Brazil, autoritetet po hetojnë kushtet e sigurisë
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur gjatë një pushimi familjar në Brazil, ku një nënë dhe djali i saj 11-vjeçar kanë humbur jetën pasi u goditën nga rryma elektrike në një pishinë. Viktimat janë identifikuar si Luciana Klein Helfstein, 39 vjeçe, dhe djali i saj Arthur Klein Helfstein Alves.
Sipas mediave lokale, familja kishte udhëtuar drejt Maragogi, një zonë turistike shumë e frekuentuar në bregdetin verilindor të Brazilit, për të kaluar disa ditë pushimi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 4 janar, në pishinën në tarracë të bujtinës ku ishin akomoduar.
Partneri i Lucianës ka deklaruar se pas mbërritjes kishin konstatuar se dushi elektrik në dhomë nuk funksiononte. Pas kësaj, nëna dhe djali ishin futur në pishinë për t’u larë. Pak më vonë, ata u gjetën pa shenja jete dhe u nxorën nga uji me ndihmën e pushuesve të tjerë.
Pavarësisht përpjekjeve për t’i rikthyer në jetë, mjekët konfirmuan vdekjen e tyre. Instituti i Mjekësisë Ligjore bëri të ditur se shkaku i vdekjes ishte goditja nga rryma elektrike, duke përjashtuar mbytjen. Sipas ekspertëve, në trupat e viktimave janë konstatuar shenja të qarta të kalimit të rrymës elektrike.
Autoritetet kanë nisur hetime të plota, përfshirë inspektimin teknik të ambienteve dhe sistemit elektrik të pishinës, si dhe verifikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë. Menaxhmenti i bujtinës ka shprehur keqardhje për ngjarjen dhe ka deklaruar se po bashkëpunon me institucionet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Trupat e nënës dhe djalit janë përcjellë për në Sao Paulo, ku familjarët dhe miqtë i kanë dhënë lamtumirën e fundit, në një ceremoni mortore të mbajtur mes dhimbjes dhe tronditjes së thellë.
