
Forca më sekrete e ushtrisë amerikane në qendër të operacionit të bujshëm në Karakas
Njësia elitare amerikane e njohur si Delta Force është vënë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare pas pretendimeve se ka qenë ky formacion që ka luajtur rolin kyç në kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, gjatë një operacioni të drejtpërdrejtë ushtarak në Karakas.
Presidenti amerikan Donald Tramp konfirmoi se Shtetet e Bashkuara kanë kryer goditje të shkallës së gjerë në Venezuelë dhe se Maduro, së bashku me bashkëshorten e tij Cilia Flores, janë kapur dhe nxjerrë jashtë vendit në kuadër të një operacioni të koordinuar me strukturat amerikane të sigurisë.
Sipas raportimeve paraprake, në zemër të këtij aksioni ka qenë Delta Force, një nga njësitë më të fshehta dhe më të trajnuara të ushtrisë amerikane. Zyrtarisht e quajtur 1st Special Forces Operational Detachment Delta, kjo forcë vepron nën komandën e US Army Special Operations Command dhe angazhohet vetëm në misione të miratuara në nivelet më të larta të qeverisë amerikane.
Delta Force u krijua në vitin 1977 nga koloneli Charles Beckwith, pas dështimeve të SHBA-së për t’u përballur me kërcënimet ndërkombëtare terroriste. Që nga ajo kohë, njësia është specializuar në operacione kundër terrorizmit, shpëtim pengjesh dhe neutralizim objektivash të nivelit të lartë, me detaje që shpesh mbeten të klasifikuara për vite me radhë.
Njësia doli për herë të parë në vëmendjen publike gjatë operacionit Eagle Claw në Iran në vitin 1980, një mision i dështuar për shpëtimin e pengjeve amerikane, por që çoi në reforma të thella në strukturën e operacioneve speciale amerikane. Më pas, Delta Force luajti rol kyç në pushtimin e Panamasë në vitin 1989 dhe në kapjen e diktatorit Manuel Noriega, si dhe në operacionet e ashpra urbane në Mogadishu në vitin 1993.
Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, Delta Force u shndërrua në një instrument qendror të luftës globale kundër terrorizmit, duke vepruar në Afganistan, Irak, Siri dhe rajone të tjera, me misione që përfshinin eliminimin e drejtuesve ekstremistë dhe operacione shpëtimi në kushte ekstreme.
Pretendimi se kjo njësi ka kapur drejtpërdrejt presidentin e Venezuelës e ngre përplasjen mes SHBA-së dhe Karakasit në një nivel të paprecedentë, duke e shndërruar Delta Force sërish në simbol të operacioneve më të ndjeshme dhe më të rrezikshme të politikës ushtarake amerikane.
