
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentet kaotike të tentativës për arratisje, që përfundoi me arrestimin dhe dënimin e autorit
Një grabitje e pazakontë në Britaninë e Madhe është shndërruar në një nga episodet më të komentuarat ditët e fundit, pasi autori i saj u filmua duke rënë disa herë nga tavani i një pike karburanti gjatë përpjekjes për t’u arratisur.
Ngjarja ka ndodhur në qarkun Durham, ku 50 vjeçari Andrew Pickering kishte hyrë në ambientet e një pike karburanti së bashku me një bashkëpunëtor. Sipas policisë, ai kishte zgjedhur të hynte nga tavani përmes një hapësire në pjesën e pasme të godinës, por tentativa për t’u larguar përfundoi në mënyrë komike dhe fatale për të.
Pamjet e publikuara nga kamerat e sigurisë tregojnë Pickering duke u rrëzuar fillimisht nga tavani, ndërsa përpiqej të përdorte një shkallë për t’u ngjitur sërish. Përpjekjet e përsëritura për t’u larguar rezultuan në disa rrëzime të njëpasnjëshme, përplasje me rafte, shkallë dhe produkte brenda dyqanit, duke shkaktuar kaos në ambient.
Në një moment tjetër, ai shihet duke rënë mbi arkat e birrës dhe më pas mbi banakun e arkës, ndërsa përpiqej të gjente një dalje. Edhe gjatë marrjes në pyetje nga policia, Pickering u shfaq i hutuar, duke rrëzuar një gotë me ujë, detaj që u bë pjesë e videos së publikuar nga autoritetet.
Policia bëri të ditur se gjurmët e gjakut të lëna në ambientet e dyqanit ndihmuan në identifikimin e autorit përmes ADN-së. Si pasojë, Andrew Pickering u shpall fajtor për dy akuza grabitjeje dhe u dënua me 12 muaj burg nga gjykata e Newton Aycliffe.
Bashkëpunëtori i tij, 46 vjeçari Daniel Reay, u dënua me shërbim prove. Sipas autoriteteve, grabitja ka shkaktuar dëme dhe humbje që kapin vlerën mbi 3 mijë paund.