
29-vjeçarja përballet me gjyq dyjavor, akuzohet për shpërdorim detyre dhe pastrim parash
Një oficere burgu në Mbretërinë e Bashkuar është vënë nën akuzë pasi dyshohet se ka krijuar marrëdhënie intime me të burgosur dhe ka futur lëndë narkotike brenda institucionit penitenciar. Bëhet fjalë për Kayleigh Robson, 29 vjeçe, ish-punonjëse e burgut HMP Peterborough, e cila është paraqitur në Gjykatën e Kurorës në Cambridge.
Sipas prokurorisë, Robson dyshohet se gjatë një periudhe rreth nëntë mujore ka shkelur rëndë detyrën duke krijuar marrëdhënie të papërshtatshme me disa të burgosur. Po ashtu, ajo akuzohet se ka futur kanabis dhe duhan në burg, si dhe se është përfshirë në skema pastrimi parash përmes transfertave bankare.
29-vjeçarja, nënë e një fëmije dhe banuese në Grantham, Lincolnshire, i ka mohuar të gjitha akuzat. Në seancën e shkurtër gjyqësore, ajo ka folur vetëm për të konfirmuar identitetin dhe qëndrimin e saj të pafajësisë.
Në të njëjtën çështje janë përfshirë edhe tre burra, Adam Hussain 28 vjeç, Ashley Neal 30 vjeç dhe Roy Shalliker 67 vjeç, të cilët akuzohen për bashkëpunim në futjen e kontrabandës në burg. Edhe ata kanë deklaruar pafajësi.
Gjykata ka vendosur lirimin me kusht për të gjithë të pandehurit, ndërsa procesi gjyqësor është planifikuar të zhvillohet në prill të vitit 2027 dhe pritet të zgjasë dy javë. Gjykatësi ka pranuar se vonesa lidhet me ngarkesën e madhe të sistemit gjyqësor britanik, duke paralajmëruar se mungesa në gjyq do të sjellë pasoja të rënda ligjore për të akuzuarit.
