
Ngjarja shpërtheu në orët e para të mëngjesit, me dhjetë të rinj të ndaluar dhe dy persona të shtruar në spital.
Një përleshje e dhunshme në Summer Lane, në qendër të Birminghamit, ka lënë dy persona të plagosur me thikë dhe një Lamborghini me vlerë rreth 200 mijë paund të shkatërruar në rrugë. Incidenti ndodhi në orët e para të së shtunës, pak para orës 5 të mëngjesit, pasi policia mori disa raportime për një konflikt të madh mes grupeve të personave.
Mjeti luksoz, i përplasur dhe braktisur në vendngjarje, u gjet me dëmtime të rënda, ndërsa pranë tij u pa edhe një makinë tjetër e dëmtuar. Zona u rrethua për hetime, ndërsa policia veproi me shpejtësi për të neutralizuar situatën.
Në total u arrestuan 10 persona, tetë meshkuj dhe dy femra, të moshës 19 deri në 24 vjeç, të dyshuar për dhunë të rëndë dhe plagosje me dashje. Të arrestuarit po mbahen në paraburgim dhe po merren në pyetje.
Dy persona u dërguan në spital me plagë thike. Autoritetet konfirmuan se gjendja e tyre është nën vëzhgim, ndërsa motivet e konfliktit ende nuk janë bërë të ditura.
Policia vazhdon hetimet për të zbardhur rrethanat e incidentit, ndërsa bëri thirrje për dëshmitarë apo këdo që ka pamje nga kamerat e zonës të kontaktojë menjëherë me hetuesit.
