
Autoritetet paralajmërojnë se lloji i ri i virusit po përhapet me shpejtësi, spitalet raportojnë rritje rekord rastesh dhe kërkohet rikthimi i masave të mbrojtjes
Një paralajmërim urgjent është lëshuar në Mbretërinë e Bashkuar, ku qytetarëve u kërkohet të vendosin maska në ambiente publike, veçanërisht personave që shfaqin simptoma gripi apo të ftohuri. Shefi i NHS Providers, Daniel Elkeles, deklaroi se vendi po përballet me një valë të fortë gripi, me qarkullim të një virusi agresiv që po përhapet më herët dhe më shpejt se zakonisht.
Ekspertët e shëndetit thonë se kushtet e ngrohta dhe të lagështa, si dhe fakti që shkollat ende janë të hapura, po krijojnë terrenin ideal për infeksione masive. “Nëse je me kollë, teshtimë apo bllokim hundësh, përdorimi i maskës në publik është domosdoshmëri për të mos infektuar të tjerët”, u shpreh Elkeles, duke i bërë thirrje britanikëve të rikthehen te zakonet e higjienës së pandemisë.
Sipas të dhënave të shëndetit publik, numri i pacientëve në spitalet angleze është 56% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa dhjetëra shkolla janë mbyllur për dezinfektim pas shpërthimit të rasteve gripale.
Mjekët rekomandojnë vaksinimin sa më parë, larjen e duarve, shmangien e turmave dhe vendosjen e maskës për persona me sëmundje kronike të frymëmarrjes. Ndërkohë, autoritetet paralajmërojnë se piku i sezonit mund të jetë më i rëndë se vitet e tjera, duke bërë thirrje për kujdes maksimal në javët në vijim.
