Detaje tronditëse kanë dalë nga masakra në trenin e Huntingdon ku 11 persona mbetën të plagosur, dy prej tyre në gjendje kritike. Dëshmitarët tregojnë se një prej autorëve ulërinte “më vritni” ndërsa policia e neutralizonte me armë elektrike.
Ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmjen e së shtunës në një tren të shpejtë që udhëtonte në drejtim të Huntingdon, në veri të Londrës, vazhdon të tronditë opinionin publik britanik. Dy persona janë arrestuar, ndërsa 11 pasagjerë kanë përfunduar në spital, nga të cilët dy ndodhen në gjendje të rrezikshme për jetën.
Sipas policisë britanike të transportit, të arrestuarit janë një 32-vjeçar dhe një 35-vjeçar, të dy shtetas britanikë, ndërsa autoritetet kanë përjashtuar pistën e terrorizmit. Hetimet po përqendrohen në motivet që çuan në sulmin e përgjakshëm që zgjati rreth 15 minuta.
Një taksist që ndodhej pranë stacionit ka rrëfyer për “MailOnline” se dëgjoi njërin prej autorëve të bërtiste më vritni, më vritni, më vritni ndërsa policët e rrëzonin në tokë pas përdorimit të taserit. “Ai mbante në dorë një thikë të madhe kuzhine. Policia e qëlloi me armë elektrike dhe i bërtiti ‘lësho armën’. Ishte një skenë që s’e harroj dot”, tregoi dëshmitari.
Policia mbetet në vendngjarje, ndërsa ekipet forenzike po mbledhin provat në stacionin e Huntingdonit. Superintendenti John Loveless tha se hetimet janë në fazë të hershme, por konfirmoi se autorët janë ndaluar në stacione të ndryshme për marrje në pyetje.
Ngjarja ka shkaktuar reagime në nivel të lartë. Kryeministri britanik dhe Mbreti Charles III shprehën tronditje për sulmin, ndërsa monarku deklaroi se ishte “thellësisht i shokuar dhe i pikëlluar për këtë sulm të tmerrshëm me thikë”, duke u shprehur afër familjeve të viktimave dhe të plagosurve.
Sakaq, trenat në linjën Londër–Huntingdon kanë pësuar ndërprerje të shumta, ndërsa policia paralajmëron se hetimet do të zgjasin për të zbardhur arsyet e këtij akti që tronditi mbarë Britaninë.
