
Pas debatit të ditëve të fundit, sulmuesi i Kombëtares qetëson situatën me një fjalim para ekipit: loja vazhdon, uniteti mbi gjithçka.
Atmosfera në Kombëtare është rikthyer në normalitet pas tensioneve të krijuara ditët e fundit rreth Armando Brojës. Sjellja e sulmuesit pas fitores ndaj Andorrës , ku ai u pa i distancuar nga festimet, shkaktoi debat publik, ndërsa në dhomat e zhveshjes situata u raportua edhe më e ndërlikuar, duke ngritur pikëpyetje mbi marrëdhëniet brenda grupit.
Megjithatë, duket se gjithçka është zgjidhur para ndeshjes së madhe me Anglinë. Në stërvitjen e fundit në “Air Albania”, Broja mori vetë fjalën përpara gjithë skuadrës. Ai kërkoi ndjesë për keqkuptimet e krijuara dhe u shpreh se qëllimi i tij ka qenë gjithmonë të ndihmojë ekipin, jo të krijojë distancë.
Lojtarët reaguan me duartrokitje dhe buzëqeshje, duke i dhënë sinjalin se çështja është mbyllur. Edhe trajneri Sylvinho, i cili më herët kishte theksuar rëndësinë e unitetit, u duk i qetë nga rikthimi i harmonisë në grup.
Tani vëmendja e Kombëtares është e gjitha te sfida e nesërme kundër Anglisë – një provë e madhe kuq e zi, në të cilën fryma e grupit do të jetë vendimtare.
