
Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë thekson se institucionet duhet të mbështesin pa kushte punën e SPAK dhe të shmangin çdo ndërhyrje politike
Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder, ka përcjellë një mesazh të qartë nga Brukseli drejt autoriteteve shqiptare, duke theksuar se Shqipëria duhet të fuqizojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe se puna e SPAK duhet të mbetet e paprekur.
Në një konferencë për shtyp, në përfundim të misionit të tij vjetor të mbledhjes së fakteve në Shqipëri, Schieder deklaroi se mbështetja për SPAK-un është thelbësore dhe se asnjë aktor apo institucion tjetër nuk duhet të pengojë apo ndërhyjë në punën e këtij organi të drejtësisë.
Ai vlerësoi se takimet e zhvilluara gjatë vizitës në Shqipëri kanë qenë në përgjithësi të suksesshme, por theksoi se lufta kundër korrupsionit mbetet një nga sfidat kryesore që kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe rezultate konkrete.
Schieder u ndal gjithashtu te rëndësia e dialogut social dhe roli i shoqërisë civile, duke theksuar se cilësia e dialogut mes aktorëve politikë dhe institucionalë është një element kyç për avancimin e reformave dhe për forcimin e standardeve demokratike në vend.
Duke iu përgjigjur interesit për çështje konkrete, përfshirë edhe rastin e zv.kryeministres Belinda Balluku, ai sqaroi se Parlamenti Europian nuk komenton raste specifike juridike. Megjithatë, ai nënvizoi se institucionet shqiptare duhet të bëjnë punën e tyre në përputhje me ligjin dhe të mbështesin pa rezerva punën e SPAK-ut.
Mesazhi nga Brukseli vjen si një sinjal i qartë politik për qeverinë e Edi Rama, se përparimi i Shqipërisë në rrugën europiane lidhet drejtpërdrejt me forcimin e shtetit të së drejtës dhe me një luftë reale dhe të pandikuar kundër korrupsionit.
