
Takimi pritet të nisë në orën 17:00, pas paralajmërimit të presidentit amerikan për rritje tarifash ndaj Evropës deri në lejimin e blerjes së Groenlandës nga SHBA
Një takim urgjent i ambasadorëve të 27 vendeve anëtare të Bashkimi Europian do të zhvillohet sot në Bruksel, mes tensioneve të reja tregtare me Shtetet e Bashkuara. Lëvizja vjen pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Tramp, i cili ka paralajmëruar një valë të re tarifash ndaj aleatëve evropianë.
Sipas burimeve diplomatike, takimi është thirrur pasi Tramp ka lidhur hapur presionin tregtar me një kërkesë politike të pazakontë, duke sinjalizuar se tarifat ndaj BE-së do të rriten derisa Shtetet e Bashkuara të lejohen të blejnë Groenlandën. Këto deklarata kanë ngritur shqetësime serioze në kryeqytetet europiane, si për ndikimin ekonomik ashtu edhe për precedentin politik që krijojnë.
Mediat raportojnë se thirrja për këtë takim urgjent është bërë nga Qipro, e cila mban aktualisht presidencën gjashtëmujore të radhës të Bashkimit Europian. Diplomatë të BE-së konfirmojnë se mbledhja është planifikuar të nisë në orën 17:00.
Në fokus të diskutimeve pritet të jenë opsionet e reagimit të BE-së, përfshirë kundërmasa tregtare, koordinim diplomatik dhe një qëndrim të përbashkët politik përballë presionit amerikan. Burime nga Brukseli bëjnë me dije se ky zhvillim rrezikon të përshkallëzojë më tej marrëdhëniet BE-SHBA, në një moment delikat për ekonominë globale dhe stabilitetin transatlantik.
