
Vendimi i papritur i deputetes shihet si lëvizje e diktuar nga kryesia socialiste dhe jo si zgjedhje personale.
Në Partinë Socialiste duket se nuk ka më surpriza që vijnë nga baza, por lëvizje të diktuara nga qendra. Kështu interpretohet sot vendimi i Brunilda Mersinit për të lënë mandatin e deputetes dhe për të hyrë në garë për Bashkinë e Vlorës në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit.
Burime brenda PS-së pranojnë se kandidatura e Mersinit nuk ishte e vetëpropozuar, por e imponuar nga strukturat drejtuese, që prej javësh kanë kërkuar një figurë “të re dhe të butë” për të shmangur përplasjet me grupimet lokale.
Pavarësisht se partia e paraqet këtë si hap për fuqizimin e grave në drejtim, shumë zëra e konsiderojnë vendimin si një manovër elektorale të dëshpëruar për të shpëtuar një bast politik në një nga qytetet ku PS ka humbur terren.
Mersini, e cila u zgjodh deputete vetëm pak muaj më parë, braktis politikën qendrore pa bilanc, për të hyrë në një garë lokale ku sfida e vërtetë do të jetë besueshmëria e saj ndaj qytetarëve. Vendin e saj në Kuvend pritet ta marrë Briseida Cakerri, emër që kalon në listë automatikisht, por që as vetë strukturat e PS-së nuk e kanë prezantuar ende si figurë aktive politike.
Në terren, reagimet e para janë të ftohta. Shumë qytetarë e shohin këtë si një tjetër rotacion emrash pa thelb, që nuk ndryshon as modelin e drejtimit lokal dhe as qasjen ndaj qytetit.
Zgjedhjet e 9 nëntorit pritet të tregojnë nëse kjo lëvizje e beftë do të jetë një strategji e suksesshme për socialistët apo një tjetër eksperiment i dështuar politik në Vlorë.