Qeveria ka vendosur që nga 1 janari 2026 të hyjë në fuqi rritja e pagës minimale nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë në muaj. Sipas projektbuxhetit të 2026, në të njëjtën masë do të rritet edhe paga maksimale e tatueshme, e cila aktualisht është 176,416 lekë, duke arritur në 186,416 lekë.
Sipas të dhënave të administratës tatimore, kjo masë pritet të sjellë një efekt pozitiv prej rreth 9 miliardë lekësh në të ardhurat e buxhetit të shtetit, ku 7.6 miliardë lekë do të vijnë nga kontributet shoqërore dhe 1.4 miliardë lekë nga kontributet shëndetësore.
Gjithashtu, për vitin 2028 janë parashikuar efektet buxhetore të rritjes së pagës minimale në nivelin 60 mijë lekë në muaj, e shoqëruar me indeksimin e pagave në administratën publike me inflacionin e pritshëm të vitit paraardhës.
Në shifrat e bëra publike, qeveria planifikon të japë 100 milionë euro për rritjen e pensioneve, e cila pritet që bëhet sipas skemës së re së pensioneve. Si edhe 135 milionë euro do të shkojnë për rimbursimin e ilaçeve, e fondi për rindërtimin do jetë në 50 milionë euro.
