
Prodhuesi nga Shenzhen raporton 2.26 milionë automjete plotësisht elektrike të shitura, duke u pozicionuar për herë të parë si lider global i tregut EV
Prodhuesi më i madh kinez i automjeteve elektrike, BYD, ka shënuar një rekord historik në vitin 2025, duke konfirmuar zhvendosjen e balancave të fuqisë në industrinë globale të automobilave. Sipas një njoftimi zyrtar në Bursën e Hong Kongut, kompania me seli në Shenzhen ka shitur 2.26 milionë automjete plotësisht elektrike gjatë vitit, shifra më e lartë vjetore e raportuar ndonjëherë nga një prodhues i vetëm.
Në total, burime të tregut flasin për mbi 4.6 milionë automjete të shitura nga BYD, përfshirë modelet hibride, çka tregon shkallën dhe fleksibilitetin e gjigandit kinez në një treg gjithnjë e më konkurrues. Kjo performancë e vendos BYD-në në prag të tejkalimit të Tesla si prodhuesi më i madh në botë i makinave elektrike, për herë të parë në histori.
Tesla, e cila pritet të publikojë shifrat përfundimtare të vitit më 2 janar, kishte raportuar 1.22 milionë automjete elektrike të shitura deri në fund të shtatorit. Në vitin 2024, kompania amerikane e kishte kaluar ngushtë BYD-në, por pritshmëritë janë që shifrat e 2025-s të mbeten nën nivelin e rekordit të rivalit kinez.
E themeluar në vitin 1995 fillimisht si prodhues baterish, BYD, që mban moton Build Your Dreams, është shndërruar vitet e fundit në forcën dominuese të tregut kinez të automjeteve me energji të re. Krahas makinave plotësisht elektrike, kompania prodhon edhe një gamë të gjerë modelesh hibride, duke përfituar nga një treg i brendshëm prej mbi 1.4 miliardë konsumatorësh.
Me konsumatorët vendas gjithnjë e më të ndjeshëm ndaj çmimeve dhe me tarifat e larta që kufizojnë aksesin në tregun amerikan, BYD ka përshpejtuar zgjerimin jashtë Kinës. Kompania po fiton terren në Azinë Juglindore, Lindjen e Mesme dhe pjesë të Europës, duke shqetësuar prodhuesit tradicionalë të automobilave.
Ndërkohë, Tesla ka përjetuar një vit më sfidues, mes konkurrencës në rritje dhe kërkesës më të dobët në disa tregje kyçe. Kjo situatë ka forcuar më tej momentumin global të BYD-së, duke e shndërruar kompaninë kineze në simbolin e epokës së re të industrisë së makinave elektrike.
