
Procesi i votimit në pesë bashki ka nisur normalisht, ndërsa pjesëmarrja në orët e para rezulton e ulët
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka dhënë një panoramë të ecurisë së zgjedhjeve të pjesshme lokale që po zhvillohen sot në pesë bashki të vendit: Mat, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Vlorë.
Sipas Celibashit, në rreth 80 % të qendrave, procesi i votimit ka nisur në orën 07:00, ndërsa pjesëmarrja deri në orën 09:00 ishte rreth 2.42 % e zgjedhësve të regjistruar. Ai theksoi se nuk janë raportuar probleme me identifikimin elektronik apo me funksionimin e qendrave të votimit.
Megjithatë, Celibashi pranoi se në 18 qendra votimi nuk ka transmetim të pandërprerë për shkak të mungesës së mbulimit me valë të sinjalit, por informacioni po mblidhet përmes kanaleve operative.
Një risi e këtij procesi, sipas Celibashit, është fakti se numërimi i votave do të transmetohet në kohë reale. Për shkak të numrit të kufizuar të KZAZ-ve, do të jetë e mundur vendosja e kamerave live në 9 prej tyre, duke mundësuar transparencë të plotë gjatë numërimit.
Celibashi nënvizoi se synimi është garantimi i një procesi sa më transparent dhe me komunikim të vazhdueshëm publik në të gjitha fazat e tij.
