
Shtëpia e Bardhë mohon sferat e influencës dhe garanton mbështetje për Tajvanin dhe Ukrainën
Dokumenti i Strategjisë Kombëtare të Sigurisë 2025 i administratës së Donald Tramp ka hapur një debat të fortë gjeopolitik pas ndërhyrjes amerikane në Venezuelë dhe arrestimit të Nicolás Maduro. Vetë Tramp e ka quajtur këtë qasje të re “Doktrina Donroe”, një term ironik që, sipas tij, shkon përtej Doktrinës Monroe tradicionale dhe synon mbrojtjen aktive të interesave amerikane në hemisferën perëndimore dhe më gjerë.
Kritikët e administratës kanë pretenduar se “Doktrina Donroe” nënkupton një rikthim në logjikën e sferave të influencës, duke rrezikuar braktisjen e Tajvanit ndaj Kinës ose të Ukrainës ndaj Rusisë. Megjithatë, Strategjia Kombëtare e Sigurisë e publikuar nga Shtëpia e Bardhë e kundërshton qartë këtë interpretim.
Në dokument theksohet se Tajvani mbetet një interes strategjik thelbësor për SHBA-në, si për shkak të rolit kyç në prodhimin global të gjysmëpërçuesve, ashtu edhe për rëndësinë e tij ushtarake në zinxhirin e parë ishullor të Paqësorit. Po ashtu, mbijetesa e Ukrainës si shtet funksional dhe përfundimi i shpejtë i luftës cilësohen interesa bazë të politikës amerikane, duke përjashtuar çdo ide tërheqjeje apo indiference.
Sipas analizës së publikuar nga Washington Examiner, arrestimi i Maduros shihet si një goditje e drejtpërdrejtë për interesat e Rusisë dhe Kinës në Amerikën Latine dhe si një sinjal forcë për aleatët e SHBA-së në Azi dhe Evropë. Fakti që operacioni amerikan u krye ndërsa një delegacion kinez ndodhej në Karakas dhe pa u penguar nga sistemet mbrojtëse të furnizuara nga Pekini, interpretohet si një demonstrim i aftësive ushtarake amerikane.
Administrata Tramp thekson se ndërhyrja në Venezuelë nuk synon pushtim apo kontroll territorial, por largimin e një regjimi të paligjshëm dhe vendosjen e stabilitetit në rajon. Në këtë kuptim, “Doktrina Donroe” përshkruhet si refuzim i pasivitetit dhe jo si legjitimim i agresionit.
Sipas këtij interpretimi, arrestimi i Maduros nuk është një precedent për pushtime të reja, por një mesazh se SHBA do të veprojë kur interesat e saj dhe rendi ndërkombëtar cenohen. Tajvani dhe Ukraina, theksohet në dokument, nuk janë monedhë shkëmbimi, por interesa strategjike që mbeten nën mbrojtjen e drejtpërdrejtë të Uashingtonit.
