
Pas kapjes së Nicolas Maduros, presidenti amerikan shpall një version të ri të doktrinës Monroe, ku SHBA synon dominim total politik, ekonomik dhe ushtarak në hemisferën perëndimore.
Kapja e presidentit venezuelian Nicolas Maduro nga forcat speciale amerikane në Karakas, natën e 2–3 janarit, nuk ishte një akt i izoluar. Sipas presidentit amerikan Donald Tramp, bëhet fjalë për zbatimin e drejtpërdrejtë të asaj që ai e quan tashmë “doktrina Donroe”, një version i ri dhe shumë më agresiv i doktrinës historike Monroe.
Sipas kësaj qasjeje, Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë hemisferën perëndimore si zonë të tyre ekskluzive influence, ku asnjë fuqi tjetër nuk duhet të ndërhyjë. Kapja e Maduros dhe transferimi i tij me forcë në Nju Jork për t’u gjykuar, u paraqit nga Tramp si një demonstrim i qartë se epoka e kompromisit ka përfunduar.
Tramp ka deklaruar se, në këtë kuadër, SHBA tashmë kontrollon rezervat e naftës së Venezuelës, duke kërkuar dorëzimin e menjëhershëm të 30 deri në 50 milionë fuçive naftë, pavarësisht gjendjes së rënduar të infrastrukturës energjetike të vendit. Mesazhi është i qartë: burimet strategjike të rajonit duhet të jenë nën kontrollin amerikan.
Doktrina Donroe u përfshi zyrtarisht në Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, të publikuar më 2 dhjetor 2025. Vetë Tramp e ka quajtur këtë dokument “Donroe”, duke bashkuar emrin e tij me atë të ish-presidentit James Monroe, i cili në vitin 1823 shpalli doktrinën që kundërshtonte ndërhyrjen e fuqive evropiane në Amerikë.
Ndryshe nga doktrina Monroe, e cila kishte si fokus parandalimin e kolonizimit evropian, doktrina Donroe synon dominim të plotë amerikan, jo vetëm politik, por edhe ekonomik dhe ushtarak. Trump ka deklaruar se supremacia amerikane në hemisferën perëndimore “nuk do të vihet më kurrë në diskutim”, sidomos përballë fuqive si Kina dhe Rusia.
Operacioni në Venezuelë tregoi se kjo doktrinë nuk mbetet vetëm në letër. U përdorën forca ajrore, detare dhe njësi komando tokësore, duke demonstruar aftësinë e SHBA-së për të vepruar shpejt dhe pa negociata. Megjithatë, pavarësisht arrestimit të Maduro-s, regjimi në Venezuelë vazhdon të funksionojë, me Delcy Rodríguez në krye dhe aparatin represiv ende aktiv.
Sipas analizës së The Economist, doktrina Donroe përbën një rrezik serioz për rendin ndërkombëtar. Ajo nuk kufizohet vetëm në Venezuelë, por shtrin hijen e saj mbi vende dhe territore të tjera si Kuba, Groenlandia, Kolumbia, Meksika dhe madje edhe Kanadaja. Kritikat theksojnë se një qasje e tillë mund t’i shtyjë vendet e rajonit më afër Kinës dhe Rusisë.
Në thelb, doktrina Donroe është një përzierje e hapur e forcës ushtarake, interesave ekonomike dhe ambicies gjeopolitike. Mesazhi i Tramp është i drejtpërdrejtë: në hemisferën perëndimore, supremacia amerikane nuk negociohet, por imponohet. Pyetja që mbetet është nëse ky bast gjeopolitik do të konsolidojë fuqinë e SHBA-së apo do të destabilizojë edhe më tej një rajon tashmë të brishtë.
