CIA ka kryer një sulm me dron në një strukturë portuale në bregdetin e Venezuelës, duke shënuar sulmin e parë të njohur të SHBA-së brenda territorit venezuelas. Sipas burimeve të CNN, objekti i goditur ishte një dok i largët që dyshohej se përdorej nga banda kriminale “Tren de Aragua” për magazinimin e drogës dhe nisjen e saj drejt rrugëve detare të trafikut, përcjell A2. Në momentin e sulmit nuk kishte persona në zonë dhe nuk raportohet për viktima.
Operacioni u krye në kuadër të fushatës amerikane kundër trafikut të drogës, por pritet të rrisë ndjeshëm tensionet mes Uashingtonit dhe presidentit venezuelas Nicolás Maduro. Administrata Trump ka ndërmarrë muajt e fundit një seri veprimesh ushtarake, përfshirë shkatërrimin e mbi 30 anijeve të dyshuara për trafik droge në ujëra ndërkombëtare dhe vendosjen e një bllokade ndaj cisternave të naftës të sanksionuara që lidhen me Venezuelën.
Presidenti Donald Trump e pranoi indirekt sulmin, duke deklaruar se SHBA goditi “zonën e dokut ku ngarkoheshin anijet me drogë”, por refuzoi të konfirmojë nëse operacioni u krye nga ushtria apo CIA. Zyrtarë të lartë amerikanë e kanë krahasuar luftën kundër trafikantëve të drogës me luftën globale kundër terrorizmit, duke paralajmëruar vazhdimin e operacioneve të ngjashme në rajon
