Një çift amerikan që ndodhej në muajin e mjaltit në Xhamajkë u kritikua ashpër në rrjetet sociale, pasi publikoi video nga përjetimi i uraganit Melissa, ndërsa stafi i hotelit përpiqej të shpëtonte jetën e tyre dhe të tjerëve në mes të stuhisë.
Alicia dhe bashkëshorti i saj Chase ndodheshin në resortin luksoz “Excellence Oyster Bay” në Falmouth, Xhamajkë, kur uragani i kategorisë së pestë goditi brigjet e Karaibeve. Në vend që të kërkonin siguri, çifti filloi të postonte në TikTok pamje nga hoteli, ku shfaqeshin stafi dhe mysafirët në pritje të evakuimit.

Në një nga videot e para, Alicia thoshte se “situata është ende e qetë”, ndërsa tregonte stafin që shërbente ushqime për vizitorët, por kjo pamje shkaktoi valë zemërimi në internet. Përdoruesit e rrjeteve sociale e cilësuan sjelljen e çiftit si të turpshme, duke theksuar se punonjësit e hotelit po shërbenin ndërsa shtëpitë e tyre po shkatërroheshin nga era.
Në një tjetër video, Alicia tregonte çantën e emergjencës që kishte përgatitur me ujë, ilaçe dhe dokumente. Më vonë, ajo publikoi pamje nga strehimi ku u dërguan të gjithë mysafirët, me krevate fushë dhe ushqim të shpërndarë nga personeli. “Na sollën mëngjes, drekë dhe darkë në dhomë. Jemi të ngopur dhe të sigurt,” shkruante ajo, duke përfunduar videon me një buzëqeshje e një “thumbs up”.

Kjo frazë ndezi më tej reagimet. “Sa jashtë realitetit mund të jesh? Ndërsa njerëzit humbin gjithçka, ti po shfaq pjatën tënde me makarona e ëmbëlsirë,” shkroi një komentues. Të tjerë kërkuan që çifti të “lërë bakshishe të mëdha për stafin që po rrezikon jetën për t’i shërbyer.”
Ndërkohë, videot e Alicias janë parë miliona herë në TikTok, duke nxitur debat mbi etikën e përmbajtjeve luksoze në mes të fatkeqësive natyrore. Disa përdorues e mbrojtën çiftin, duke thënë se ata “po përpiqeshin të qëndronin të qetë në një situatë stresuese”, por shumica i akuzuan se e kanë kthyer tragjedinë në spektakël virtual.
Autoritetet xhamajkane njoftuan se uragani Melissa ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në bregdetin verior dhe dhjetëra viktima në Karaibe, ndërsa qindra turistë mbeten ende të izoluar në hotele.
