
Sinoptikania Lajda Porja njofton për afrimin e dy stuhive ciklonare që pritet të sjellin shtrëngata të forta në disa qarqe jugore dhe juglindore.
Shqipëria pritet të ndikohet nga dy masa ciklonare që po lëvizin nga brigjet e Spanjës drejt Italisë dhe më pas rajonit të Ballkanit, duke sjellë përkeqësim të ndjeshëm të motit gjatë ditëve në vijim. Sinoptikania Lajda Porja nga “Meteoalb” paralajmëron se vendi do të përfshihet nga reshje intensive, erëra të forta dhe stuhi lokale, sidomos në jug dhe juglindje.
Sipas Porjes, ndryshimi i kushteve atmosferike do të nisë që mbrëmjen e sotme dhe do të kulmojë të enjten dhe të premten, me rënie të ndjeshme të presionit atmosferik dhe reshje të dendura. “Dy ciklone të fuqishme që kanë qëndruar në brigjet e Spanjës po zhvendosen drejt Italisë dhe pritet të prekin periferikisht edhe Shqipërinë”, – tha ajo.
Më të rrezikuarat do të jenë zonat e Vlorës, Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit dhe Korçës, ku pritet intensitet më i lartë reshjesh dhe mundësi për përmbytje lokale. Ndërkohë, në veri dhe në pjesën qendrore të vendit priten shira më të lehtë dhe kalimtarë.
Porja shtoi se temperaturat do të mbeten tipike për stinën e vjeshtës, me vlera që nuk do të kalojnë 25 gradë, ndërsa pritet që moti të stabilizohet gradualisht pas fundjavës.