
Hetimi dy mujor zbulon skemën e trafikimit dhe shitjes së armëve, katër persona përfundojnë në pranga
Policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal që trafikonte dhe shiste armë zjarri, të cilat siguroheshin kryesisht nga Kosova dhe më pas silleshin në kryeqytet për t’u modifikuar dhe magazinuar. Operacioni u finalizua pas një hetimi dy mujor të zhvilluar nga Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 3, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan katër shtetas banues në Tiranë, përkatësisht G. N. 39 vjeç, R. R. 48 vjeç, K. C. 49 vjeç dhe A. C. 45 vjeç. Sipas hetimeve, armët e trafikuara ruheshin në një ambient të përshtatur në zonën e Selitës, ku dyshohet se përgatiteshin për shitje në tregun e paligjshëm.
Gjatë kontrolleve në ambientin e magazinimit dhe në banesat e të arrestuarve, policia sekuestroi 8 armë zjarri, konkretisht 5 pistoleta dhe 3 automatikë, pjesë të ndryshme armësh, një armë gjahu, krehra dhe municion luftarak. Po ashtu u sekuestruan 3 radio të ngjashme me ato të policisë, një jelek multifunksional dhe 9 aparate celularë, që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal.
Nën drejtimin e Prokurorisë, hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikut të armëve, ndërsa materialet procedurale i janë referuar organit të akuzës për veprime të mëtejshme ligjore.
