
Klientët tregojnë se përballë qirave të larta u sakrifikua siguria, duke ngushtuar shkallët e daljes dhe duke mbipopulluar ambientet
Detaje të reja po dalin në dritë nga tragjedia e ndodhur natën e Vitit të Ri në lokalin Le Constellation në Crans-Montana të Zvicrës, ku humbën jetën disa persona. Dëshmitë e mbledhura nga klientë të rregullt dhe banorë të zonës hedhin hije të rënda dyshimi mbi ndryshimet strukturore të kryera në lokal muajt e fundit, të cilat, sipas tyre, kanë rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë.
Sipas klientëve, një nga ndërhyrjet kryesore ka qenë shtimi i tavolinave në katin përdhes, duke zgjeruar sipërfaqen e shërbimit për të rritur të ardhurat. Për të realizuar këtë, shkalla që zbriste drejt katit nëntokësor është ngushtuar ndjeshëm, më shumë se gjysmën e gjerësisë së saj të mëparshme. Nga një shkallë qendrore e gjerë, ajo është kthyer në një korridor të ngushtë, rreth një metër, duke e bërë pothuajse të pamundur një evakuim të shpejtë në rast emergjence, veçanërisht kur në bodrum grumbulloheshin qindra persona.
Banorë të Crans-Montana tregojnë se Le Constellation dikur ishte një pikë tradicionale takimi për komunitetin, por me rritjen e çmimeve të pronave dhe qirave, lokali kaloi në duar të reja dhe iu nënshtrua ristrukturimeve të vazhdueshme. Sipas tyre, këto ndërhyrje nuk ishin zgjedhje estetike, por përpjekje për të mbijetuar financiarisht në një treg gjithnjë e më të shtrenjtë.
Një ish-menaxher i lokalit pohon se qiraja mujore arrinte shifra pranë 40 mijë frangave zvicerane, një barrë e rëndë financiare që i detyronte pronarët të shtynin kufijtë e kapacitetit dhe të rrisnin fitimin me çdo kusht. Shtimi i tavolinave dhe pranimi i një numri shumë më të madh klientësh se sa lejonte hapësira u kthyen në praktikë të zakonshme.
Edhe rregullat e hyrjes, sipas dëshmive, janë shkelur sistematikisht natën e tragjedisë. Edhe pse zyrtarisht hyrja ishte e lejuar vetëm për persona mbi 18 vjeç, me rezervim dhe pagesë të lartë, të mitur të shumtë kanë hyrë në ambient me lehtësinë e miratimit të stafit, duke përdorur dokumente të huazuara ose thjesht duke blerë shishe të shtrenjta alkooli.
Sipas të rinjve që ndodheshin aty, brenda lokalit kishte shumë adoleshentë nën moshë, ndërsa mbipopullimi dhe mungesa e hapësirave të sigurta e kthyen çdo tentativë daljeje në një kurth vdekjeprurës.
Këto dëshmi po forcojnë bindjen se tragjedia e Crans-Montana nuk ishte thjesht një aksident, por pasojë e një zinxhiri vendimesh të gabuara, ku fitimi u vendos mbi sigurinë njerëzore.
