
Stacioni elitar i Zvicrës, simbol i luksit dhe famës, jeton sot mes dhimbjes kolektive pas zjarrit tragjik që tronditi vendin në fillim të vitit
Crans-Montana, një nga stacionet më të njohura alpine në Zvicër, prej dekadash ka qenë sinonim i luksit, turizmit elitar dhe panoramave mahnitëse mbi Alpet. Me mbi 300 ditë diell në vit, shpatet e orientuara nga jugu, vreshtat e Valais dhe pamjen që shtrihet nga Cervini deri te Mont Blancu, kjo zonë ka ndërtuar imazhin e një parajse turistike të përzgjedhur.
Por ky imazh u trondit rëndë më 1 janar, kur një zjarr shkatërrues në një bar në qendër të qytetit mori jetën e 40 personave dhe la mbi 100 të plagosur, shumica me djegie të rënda. Ngjarja shënoi një nga tragjeditë më të rënda në historinë moderne të Zvicrës dhe la pas një plagë të thellë sociale e psikologjike në komunitetin lokal.
Stacioni që dikur frekuentohej nga figura të famshme, biznesmenë dhe aristokraci europiane, sot përballet me një dhimbje kolektive dhe një reflektim të vështirë mbi zhvillimin e tij. Banorët flasin për një humbje jo vetëm njerëzore, por edhe morale, duke vënë në pikëpyetje ritmin e urbanizimit, komercializimin e tepruar dhe largimin nga rrënjët tradicionale të zonës.
Crans-Montana u zhvillua gradualisht nga fundi i shekullit XIX, fillimisht si destinacion shëndetësor për ajrin e pastër malor, për t’u kthyer më pas në një qendër të turizmit luksoz dimëror. Ky transformim solli pasuri dhe famë, por edhe rreziqe, që sipas shumë zërave lokalë, u neglizhuan ndër vite.
Sot, ndërsa sezoni turistik vazhdon, atmosfera në Crans-Montana mbetet e rënduar. Qyteti përpiqet të gjejë ekuilibrin mes kujtimit të viktimave, nevojës për drejtësi dhe vazhdimësisë së jetës ekonomike. Tragjedia e fillimvitit ka ndryshuar përgjithmonë mënyrën se si ky stacion elitar shihet, jo vetëm në Zvicër, por në mbarë Evropën.
