
Ekspertët shpjegojnë pse disa viktima nuk kishin djegie në trup dhe si ajri bëhet i paqëndrueshëm për t’u marrë frymë brenda 2 minutash
Tragjedia e ndodhur në Crans-Montana ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si humb jeta gjatë një zjarri, sidomos në ambiente të mbyllura. Familjarët e disa viktimave kanë deklaruar se trupat e tyre nuk paraqisnin shenja djegieje, duke shtuar dyshimet se shkaku i vdekjes nuk kanë qenë flakët, por tymi dhe gazrat toksikë.
Sipas specialistëve të sigurisë nga zjarret, në shumicën e rasteve viktimat nuk humbin jetën nga djegiet direkte, por nga thithja e tymit dhe mungesa e oksigjenit. Brenda pak minutash, ajri në një ambient të mbyllur mbushet me monoksid karboni dhe gaze të tjera helmuese, të cilat paralizojnë frymëmarrjen dhe çojnë shpejt në humbje ndjenjash.
Ekspertët shpjegojnë se në raste të tilla, edhe një person që nuk është prekur nga flakët mund të humbasë jetën shumë shpejt. Brenda rreth dy minutash, ajri bëhet i papërballueshëm për frymëmarrje, ndërsa orientimi humbet për shkak të errësirës dhe tymit të dendur.
Në rastin e Crans-Montana, hetimet po fokusohen edhe te materialet e përdorura në ambient, të cilat dyshohet se kanë çliruar gazra shumë toksikë gjatë djegies. Kjo shpjegon pse disa sende personale të viktimave janë gjetur të paprekura, ndërsa vetë personat kanë ndërruar jetë.
Autoritetet pritet të publikojnë përfundimet zyrtare pas analizave mjekoligjore dhe hetimeve teknike, ndërsa kjo tragjedi ka rihapur debatin për standardet e sigurisë nga zjarri në ambiente argëtimi dhe publikë.
