
Ylli portugez e kërkoi vetë takimin; vizita vjen pas kualifikimit të Portugalisë në Botërorin 2026
Cristiano Ronaldo do të jetë sot në Shtëpinë e Bardhë për një takim me presidentin amerikan Donald Tramp, pasi vetë futbollisti kërkoi një takim zyrtar me liderin amerikan. Lajmi është konfirmuar nga tre zyrtarë të administratës, sipas raportimit të MS NOW.
Takimi vjen në një moment të rëndësishëm për kapitenin portugez, i cili sapo ka siguruar me Portugalinë kualifikimin për Kupën e Botës 2026, turne i cili do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Ronaldo pritet të jetë një nga figurat më të spikatura të Botërorit të ardhshëm.
Sipas burimeve, vizita e Ronaldos përkon me një takim tjetër të rëndësishëm që Tramp do të zhvillojë të martën: atë me princin saudit Mohammed bin Salman. Nuk ka informacione nëse dy ngjarjet lidhen me njëra-tjetrën, megjithëse Ronaldo luan aktualisht në Arabinë Saudite me klubin Al-Nassr.
Përveç Botërorit, raportohet se po diskutohet edhe një miqësore ndërmjet Portugalisë dhe kombëtares amerikane përpara nisjes së turneut. Kjo ndeshje do të sillte përballë një prej lojtarëve më të njohur në botë me publikun amerikan, i cili pritet të ketë një interes të lartë për eventin.
Donald Tramp ka pritur më parë presidentin e FIFA Gianni Infantino në Zyrën Ovale, dhe tani Ronaldo bëhet një tjetër figurë e rëndësishme e futbollit që viziton Shtëpinë e Bardhë. Takimi pritet të diskutojë futbollin, Botërorin 2026 dhe raportet SHBA–Portugali.
Nëse vizita konfirmohet publikisht, do të jetë një prej takimeve më të përfolura mes sportit dhe politikës këtë vit.
