
Një burim nga Ministria e Brendshme, i cili ishte në detyrë gjatë rritjes së numrit të mbërritjeve të shqiptarëve, thotë se Edi Rama “duhet të kalojë më pak kohë duke folur kot” dhe kritikoi performancën e tij.
Kryeministri i Shqipërisë ka shkaktuar zemërim pas pretendimeve të tij se Brexit çoi në “depresionin” e Britanisë dhe në më shumë kalime me gomone. Në komente shpërthyese mbi vendimin historik për t’u larguar nga BE dhe krizën e migracionit të paligjshëm, Edi Rama tha: “Disa i quajnë anije të vogla, disa i quajnë anije të Brexit.”
Ai shtoi: “Ju u larguat nga Evropa sepse donit më shumë lumturi. Tani jeni në depresion.”
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer do të presë të mërkurën udhëheqës nga Ballkani Perëndimor, përfshirë zotin Rama, ndërsa kërkon të forcojë përpjekjet për të goditur bandat e kontrabandës dhe për të parandaluar kalimin e migrantëve përmes Evropës.
Duke folur në një aktivitet të një think-tank të martën, zoti Rama tha për krizën e migrantëve në Kanal: “Disa i quajnë anije të vogla, disa i quajnë anije të Brexit. Dhe njeriu pyet veten pse u larguat nga Evropa. U larguat nga Evropa sepse donit më pak anije, por tani keni më shumë anije. U larguat nga Evropa sepse donit më shumë investime. Tani keni më pak investime. U larguat nga Evropa sepse donit më shumë lumturi. Tani jeni në depresion.”
Ai gjithashtu vazhdoi thumbimet e tij ndaj Brexit duke thënë se bashkëpunimi më i ngushtë përmirëson përpjekjet për të luftuar migracionin e paligjshëm.
Rama tha: “Kjo ka funksionuar në mënyrë fantastike. Ka funksionuar në një mënyrë që besoj se është e qëndrueshme. Është një përballje sistemike me këtë sëmundje të rrjeteve të trafikimit.”
Në një referencë të tërthortë ndaj Nigel Farage, ai tha: “Nuk na takon ne të vendosim se kush do të zgjidhet dhe kush jo në Britani. Por në fund të fundit, e kemi parë më shumë se një herë se puna e qeverisë është diçka krejt ndryshe nga poezia e opozitës. Kështu që nuk shoh ndonjë problem për sa i përket bashkëpunimit me këdo. Dhe në fund, besoj se Farage nuk është problemi. Farage është pasqyra e problemeve që ka njëfarë aftësie teatrale për të qenë tërheqës, por problemet janë diku tjetër.”
Por një burim nga Ministria e Brendshme, i cili ishte në detyrë ndërsa dhjetëra mijëra shqiptarë kaluan kufirin, i tha “Daily Express”: “Edi Rama nuk ka idenë se për çfarë po flet. Nëse do të bënte vërtet punën e tij, shqiptarët nuk do të kishin ikur për në Mbretërinë e Bashkuar me turma. Ai duhet të kalojë më pak kohë duke folur dhe më shumë kohë duke marrë mbrapsht numrin rekord të kriminelëve shqiptarë që mbushin burgjet tona.”
Dy shtete të Ballkanit Perëndimor ; Shqipëria dhe Mali i Zi, kanë theksuar se nuk do të pranojnë të strehojnë “qendra kthimi” për azilkërkuesit e refuzuar përpara samitit me Sir Keir.
Rama ka përsëritur disa herë se marrëveshja e vetme që ka pranuar është ajo me Italinë, për shkak të lidhjeve historike midis dy vendeve.
Ai shtoi: “Sa i përket qendrave, apo si quhen ato, e kam thënë dhe e përsëris – kurrë në Shqipëri.”
Duke iu drejtuar kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiç, Rama e pyeti nëse do të pranonte një qendër nëse Britania do të ndërtonte hekurudha në vendin e tij dhe ai iu përgjigj: “Do ta pranonim patjetër, nëse do të investonin 10 miliardë euro për të ndërtuar hekurudha.”
Spajiç shtoi: “Mali i Zi nuk është pjesë e rrugëve të migrantëve përmes Ballkanit.”
Britania i është drejtuar Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës e Hercegovinës dhe disa vendeve jashtë Evropës për marrëveshje të mundshme për qendrat e kthimit.
Analiza nga “Migration Watch” kritikoi marrëveshjen e Sir Keir me Francën për kthimin e migrantëve, duke theksuar se vetëm 42 persona janë riatdhesuar që nga 6 gushti.
Kryetari i “Migration Watch”, Alp Mehmet, tha: “Kjo nuk është një trashëgimi për t’u mburrur, zoti Kryeministër. Për më tepër, nëse marrim një migrant mbrapsht për çdo një që kthejmë, do të kemi të njëjtin numër, plus mbërritje të reja për t’u përballur. Publiku është lodhur nga gënjeshtrat dhe fjalët boshe, të cilat bandat i shfrytëzojnë ndërsa festojnë me shampanjë.”/Daily Express