
Djali i regjisorit të njohur Rob Reiner u dorëzua pa rezistencë pak orë pas krimit, pasi u filmua duke blerë qetësisht një pije në një pikë karburanti
Pamje të reja dramatike kanë dalë në dritë nga momenti i arrestimit të Nick Reiner, 32 vjeç, i cili akuzohet se ka vrarë prindërit e tij, regjisori i famshëm amerikan Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij Michele, në rezidencën e tyre luksoze në Brentwood, Los Angeles. Videoja e publikuar nga mediat amerikane tregon të dyshuarin teksa dorëzohet pa rezistencë përballë forcave të policisë, me armët e drejtuara ndaj tij.
Pak orë pas ngjarjes së rëndë, Reiner është filmuar nga kamerat e sigurisë duke hyrë i qetë në një pikë karburanti, ku blen një pije energjike dhe largohet pa asnjë shenjë paniku. Më pas, ai është ndaluar pranë një stacioni metroje, rreth 15 kilometra larg banesës së prindërve të tij. Sapo automjetet e policisë janë afruar, ai ka ngritur duart lart dhe është shtrirë në tokë, duke u prangosur nga efektivët.
Sipas autoriteteve, Reiner po mbahet në qendrën korrektuese Twin Towers në Los Angeles, nën mbikëqyrje të rreptë dhe pa të drejtë lirimi me kusht. Fillimisht atij i ishte caktuar një garanci prej 4 milionë dollarësh, por kjo është revokuar. Prokuroria e Qarkut të Los Angeles ka ngritur ndaj tij dy akuza për vrasje të shkallës së parë me rrethana rënduese, çka e ekspozon atë ndaj një dënimi maksimal që përfshin burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi, ose dënim me vdekje.
Hetuesit kanë bërë me dije se trupat e viktimave janë gjetur disa orë pas vdekjes, ndërsa skena e krimit është zbuluar nga vajza e çiftit, Romy Reiner, e cila ka njoftuar policinë pasi prindërit nuk i janë përgjigjur një takimi të planifikuar. Ajo ka deklaruar se vëllai i saj duhet të konsiderohej i dyshuar, duke e përshkruar atë si person të rrezikshëm.
Sipas burimeve policore, një konflikt i fortë familjar kishte ndodhur një natë më parë gjatë një feste me personazhe të njohur, ku prindërit dyshohet se kishin shprehur shqetësim për gjendjen mendore dhe refuzimin e djalit të tyre për t’u rikthyer në rehabilitim. Nick Reiner ka folur më herët publikisht për problemet e tij të rënda me varësinë nga droga dhe trajtimet e shumta rehabilituese që kishte ndjekur që në moshë të re.
Prokuroria ka theksuar se akuzat nuk përbëjnë provë dhe se çështja do të shqyrtohet në gjykatë, ku barra e provës do të duhet të përmbushet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Hetimet vijojnë, ndërsa rasti ka tronditur opinionin publik në SHBA dhe botën e Hollivudit.
