
Demokratët publikojnë foto dhe video të pabotuara më parë nga Little St. James, duke rritur presionin për deklasifikimin e plotë të dosjeve Epstein
Pamje të reja dhe shqetësuese nga ishulli privat i Jeffrey Epstein në Karaibe janë bërë publike, duke zbuluar detaje të reja nga ambientet ku miliarderi i dënuar për trafik seksual priste figura të fuqishme politike, ekonomike e kulturore. Komiteti i Mbikëqyrjes në Kongresin Amerikan, përmes anëtarëve demokratë, ka shpërndarë foto dhe video të marra në Little St. James, duke i cilësuar ato një vështrim të frikshëm pas dyerve të mbyllura të rrjetit kriminal të Epstein.
Në pamjet e publikuara shfaqen dhoma gjumi, banjo dhe një hapësirë e ngjashme me klinikë dentare, me maska të varura në mure dhe pajisje të tjera të pazakonta. Në një telefon fiks shihen emra në numrat e shpejtë, ndërsa kontaktet e grave janë fshehur për të mos ekspozuar viktimat e mundshme të trafikut seksual.
Video të tjera tregojnë qendrën luksoze të Epstein me pishinë, palmë dhe shtigje që çojnë drejt detit, ambiente në të cilat ai priste miq të nivelit të lartë nga politika, biznesi dhe showbizi. Demokratët kanë deklaruar se publikimi i këtyre materialeve synon transparencën dhe zbardhjen e plotë të mënyrës se si funksiononte rrjeti i tij.
Në ambientet e brendshme është gjetur edhe një tabelë shënimesh me fjalë të tilla si pushtet, mashtrim, politikë, muzikë dhe e vërtetë, të cilat hetuesit po i analizojnë për kontekstin e tyre.
Publikimi i imazheve vjen teksa rritet presioni ndaj presidentit amerikan Donald Trump për publikimin e plotë të dosjeve Epstein deri më 19 dhjetor. edhe pse ai kishte premtuar deklasifikim para marrjes së mandatit, më vonë ka tentuar të ndalojë kërkesat për transparencë duke e quajtur çështjen një mashtrim politik.
Epstein vdiq në qelinë e tij në New York në vitin 2019, rrethana që vijojnë të ngjallin dyshime dhe teori të shumta. Ndërkohë, kongresmeni demokrat Robert Garcia deklaroi se fotot ofrojnë një panoramë të errët të botës së Epstein dhe janë të domosdoshme për të ndërtuar tablonë e plotë të krimeve të tij.
